BËHU ZONJË: Dobësohu! Fryji buzët! Knaqi burrat! Mos bërtit! Gatuaj! (VIDEO)

Virale: “Be a Lady They Said” ( Ji një zonjë) publikuar nga revista Girls Girls Girls, ku shfaqet aktorja Cynthia Nixon duke lexuar një tekst feminist nga Camille Rainville po bënë tash sa vite xhiro në rrjet.

ObserverKult ju sjell tekstin në shqip:

Teksti:

“Ji një zonjë”-thanë ata.
E ke fundin e shkurtër. Bluza jote është e vogël. Mos u zhvish kaq shumë. Mbulohu! Lëri diçka imagjinatës. Mos u bëj joshëse. BURRAT nuk e kontrollojnë dot veten. Ata kanë nevoja.
Duku seksi. Bëju ndjellëse. Mos ji kaq provokuese. Vetë e kërkove. Vishu me të zeza. Vish taka. Je veshur shumë. Je veshur pak. Dukesh sikur e ke lëshuar veten.

Mos ji kaq e shëndoshë. Mos ji kaq dobët. Ushqehu. Dobësohu. Mos ha kaq shumë. Porosit një sallatë. Lëre ëmbëlsirën. Fillo një dietë. Tani dukesh si skelet. Pse nuk ha? Dukesh e sëmurë. BURRAT i pëlqejnë gratë me tule. Bëju masa zero. Mos ji asgjë. Ji më pak se asgjë.

Hiqi qimet. Zbardhe këtë, zbardhe atë. Zhduki shenjat. Mbuloji strijat. Fryji buzët. Bëji botox rrudhave. Tërhiqe fytyrën. Thithe barkun. Duku natyrale. Po përpiqesh shumë. Dukesh shumë e bërë. BURRAT nuk i pëlqejnë gratë që përpiqen shumë.

Vër grim. Theksoji mollëzat. Mbushi vetullat. Ngjyrosi buzët. Vër pudër. Zgjati qerpikët. I ke flokët e shkurtra. Lyeji flokët. Jo blu, duket jo natyrale. Duku e re. E vjetra është e shëmtuar. BURRAT nuk e pëlqejnë të shëmtuarën.

Shpëtoje veten. Ji e dlirë. Mos u bëj e përdalë.
Mos fli me këdo. BURRAT nuk i duan kurvat. Buzëqesh. Kënaqi burrat. Merr përvojë. Bëju sensuale. Bëju e pafajshme. Bëju e ndyrë. Bëju vajzë e lezetshme. Mos u bëj si të tjerat.

Mos fol me zë të lartë. Mos fol shumë. Mos u frikëso. Pse je kaq rëndë? Mos bëj si shefe. Mos ji kaq e ndjeshme. Mos qaj. Mos bërtit. Mos shaj. Duroje dhimbjen. Mos u anko.

Palosja rrobat e tij. Bëji gati darkën. Bëje të lumtur. Kjo është detyra e gruas. Merr mbiemrin e tij. Jepi fëmijë. Nuk do fëmijë? Do të duash një ditë. Do ndryshosh mendje.

Mos u përdhuno. Mos pi shumë. Mos ec vetëm. Mos dil natën vonë. Mos u vesh ashtu. Mos u deh. Mos u buzëqesh të huajve. Mos dil natën. Mos i beso askujt. Mos thuaj po. Mos thuaj jo.

Thjesht “ji një zonjë”-thanë ata.

Photo © Claire Rothstein for Girls. Girls. Girls.

Këto jane disa nga vargjet e para të poezisë së Camille Rainville, performuar nga ish ylli i ‘Sex and the City’, tashmë aktivistja, Cynthia Nixon.

Videoja tani virale, krijuar për magazinën Girls Girls Girls, lufton stereotipet mbi rolin e gruas në shoqëritë me mentalitet patriarkal, përmes një diskursi që vë në pah pikërisht mënyrën se si mendohet roli i gruas brenda këtyre stereotipeve: si duhet të vishet, si duhet të sillet, si duhet të jetojë, çfarë duhet të bëjë…

Përgatiti U.V/ ObserverKult

Kliko edhe:

A E DINI ÇKA ËSHTË INFODEMIA? A JENI LODHUR NGA LAJMET E RREME? NGA SENSACIONALIZMI?