Bajram Mjeku: “E gjithkohshmja Andërr” – monument individual për dramën kolektive

Timo Merkuri Bajram Mjeku E gjithkohshmja Andërr

Ese për librin “E gjithkohshmja Andërr” të poetes Donika Dabishevci, botuar nga Littera, Prishtinë, 2024

shiu poetry by bajram mjeku observerkult donika dabishevci e gjithkohshmja andërr

Nga Bajram MJEKU

Sikur të mos ekzistonte poeti i shquar boshnjak Izet Sarajliq, do ta njihnim më pak përgjakjen dhe trishtimin e Sarajevës gjatë luftës së fundit dhe do t’i ndjenim më pak dhimbjet e qytetit të tij të dashur. Sarajliq, ishte ndër poetët më të shquar modern në Kontinentin e Vjetër.

Paslufta në Kosovë, u përcoll me ngritje monumentesh për heronjët e dëshmorët, shpërthim të folkut mbështjellur me patetikë, që sikur i stepi krijuesit mënjanë dhe sikur atyre u vinte një zë i tejbotshëm që të pritnin çastin e shpërthimit të tyre.

Është poetja kosovare Donika Dabishevci, e cila mbas një çerekshekulli të mbarimit të luftës së fundit dhe mbas një pune të durueshme, nxori në dritë vëllimin e saj të fundit poetik E gjithkohshmja Andërr, që fund e krye për lajtmotiv ka luftën e fundit në Kosovë. Donika nxjerr trishtimin lakuriq, ashtu siç njeriu i kësaj toke e ndjeu dhe e përjetoi deri në palcë. Durimi i saj me të gjitha finesat artistike, jo vetëm na rikthen kujtesën, por na rikthen këmbëkryq në trishtimin dhe hallakamën e luftës, në zvetnimin shpirtëror dhe në fuqinë hyjnore për të mbijetuar nga çasti në çast.

Përmes vëllimit poetik E gjithkohshmja Andërr, Donika ka ngritur monumentin nga hiri dhe zjarri i luftës. Monumenti i saj nuk është ngritur për një dëshmor, a luftëtar, por është ngritur nga ndjesia dhe drama kolektive, të cilën ajo dhe njerëzit e saj i bashkëvuajtën me dhimbje e sakrifica të mëdha. Heronjtë e Donikës nuk kanë emra të përveçëm. Ata janë njerëzit e kësaj toke që mbijetuan bashkë me dramën kolektive.

Secili dramaturg, pa ndonjë mund të madh, katër ciklet e vëllimit poetik E gjithkohshmja Andërr, mund t’i shndërrojë në katër akte të një drame. Fati i njerëzve tragjikë, të pambrojtur dhe të nisur për në rrugën e askundit, që janë përjetësuar në vargjet e poetes Donika Dabishevci, është fati kolektiv i një kombi për jetë a vdekje…

Libri hapet me ciklin e parë Zanun n’lak, i cili prinë me poezinë e parë Granatimet. Kjo poezi është një lloj dritarje, për të shpërfaqur përpara një realitet të trishtë e frikësues që mban emrin luftë. Derisa brenda mureve ke patur ndjesi tjetër, sapo është hapur dritarja, në vend të diellit e dritës, përballesh me zjarr lufte e vdekje të panumërta, më saktë me imazhin që ka emrin luftë. Me timbrin trishtues, poetja sikur gjendet në skenën e një teatri të braktisur, pastaj sikur hapë perden në skenën e teatrit dhe me gjysmëzëri thotë:

Nisën granatimet.
Zogjtë u çakërdisën.
Nisën me u rrokë n’njeni-tjetrin,
Trumhasun me u ndesh’ fluturimeve,
Si pa krye –
Për me pshtue kryet!

Por në këtë cikël sfilitës e tronditës, është vargu antologjik; Ata ik e deka ndjek!, i cili përmbyll poezinë Tuj ikë dekës. Ky varg emblematik, mund të ishte edhe vet titulli i librit!
Vëllimi poetik E gjithkohshmja Andërr, është ideuar në katër cikle: Zanun në lak, Lakmia me u çmend, N’luftë me korba dhe Dhimta t’ngulfatuna n’ofshama t’pazashme. Të katër ciklet kanë tmerrin e luftës dhe zallahinë e saj si lajtmotiv, por më interesantja është se autorja asnjëherë nuk e humb ritmin e mbindërtimit artistik. Më shumë se kjo, ajo mbërrinë që me laryshi temash përmes një diskursi tronditës, gjatë gjithë kohës lexuesin ta mbajë në ankth, derisa çlirimi shpirtëror nuk të braktis as në rreshtin e fundit.

Asht nji andërr e gdhendun n’ADN,
fjetun e pluhnueme shekujsh,
trashigueme me fanatizëm brezash,
ruejtun msheftë e mbajtun ngrohtë
n’t’artat arka qindvjeçe…

Fillimi i poemës E gjithkohshmja Andërr, që mban edhe titullin e vëllimit poetik, nuk është vetëm ADN-ja e kohës për të cilën autorja shpreh sublimimin e saj krijues, por është ADN-ja, më saktë, vija e tragjikës nacionale që njerëzit e këtij vendi i ka përcjellë ndër shekuj. Dhe këtë ADN, që është njëfarë mallkimi i motërzuar në hapësirë e kohë, autorja në strofën tjetër e portretizon si një ëndërr ireale dhe si një ëndërr sureale, e cila është ngulitur thellë si në përalla.

Ajo që vlen të veçohet është se autorja edhe kur trajton distanca të largëta në hapësirë e kohë, nuk e rëndon poezinë e saj me “rekuizita” mitologjike, një fenomen që e pati rënduar poezinë shqiptare gjatë gjysmëshekullit të fundit, gjithmonë në insistim të njëfarë novatorizmi dhe në gërmim të gjetjeve dhe formave të reja. Donika e ka kuptuar togfjalëshin; kryesorja në art është artistikja dhe këtë e dëshmon më së miri në poemën tjetër me titull Për nji vorr në të cilën thotë:

E msuem anatominë e njeriut
tuj mbledhë trupa të masakruem
t’ma t’dashtunve…

Në të gjitha poemat e saj, vargjet kanë rrjedhën e tyre mbështjellë më inspirim trishtues, thjesht e bukur njëkohësisht. Donikën nuk e intrigon vetëm forma, por edhe përmbajtja. Ajo i jep vargut formë dhe përmbajtjes inspirim.

* * *

E pranoj se brezi i fundit i poetëve kosovarë janë më të guximshëm dhe më të çlirshëm, por edhe më ngulmues në rrëmujën e botës urbane, edhe kur nuk duam ta pranojmë realitetin e ri.
Duke lexuar vëllimin poetik E gjithkohshmja Andërr të Donika Dabishevcit, jo rastësisht më është kujtuar një fakt. Mbas rënies së Murit të Berlinit, bashkë me të ranë edhe metaforat e epokës së Luftës së Ftohtë. Për habinë e të gjithëve, në botën shqiptare ndodhi një shpërfaqje e papritur. Shpërthyen poetë anonim duke botuar libra dhe duke klithur përvujtshëm se ishin të anatemuarit dhe të censuruarit e kësaj epoke! Në kaosin e kësaj periudhe të ndërmjeme u botuan qindra vëllime me poezi dhe ishin pikërisht anonimët, të cilët ditën për diell e vranë poezinë. U desh kohë që arti poetik të kthejë në binarët e normalitetit dhe është brezi i poetëve të Donika Dabishevcit, i cili është duke rikthyer artin poetik në normalitetin e duhur.

Donika Dabishevci prinë në kolanën e poetëve bashkëkohorë, edhe të talentuar, edhe të guximshëm. Ajo mbetet poetja e parë kosovare, e cila me lirizmin e saj shpirtëror i ka thyer tabutë gjinore. Guximi i saj për të shënjestruar tema e simbole të mëdha, ka mbërrijtur në pikën e duhur. Dëshmia më e mirë e saj është vëllimi i parafundit poetik; Kam me ardhë si deka, ku me lirizëm të theksuar, godet paragjykimet, derisa ia liron frerët lirisë dhe i “robëron” paragjykimet. Dabishevci nuk e drobit mendjen se si e paragjykojnë tjerët poezinë e saj, por si e ndjenë dhe ka pasion ta krijoj atë. Këtë guxim, duhet ta kenë krijuesit e të gjitha zhanreve artistike, të cilët jetojnë në ambientin tonë ende paragjykues për vlerat e fenomenet…

Gjatë leximit të opusit krijues të Donika Dabishevcit, më ka intriguar edhe gjuha të cilën shkruan dhe të cilën ajo e trajton si diçka të shenjtë. Ajo nuk i përmbahet gjuhës së “përligjur” dhe shkruan gegnishten e rajonit prej nga vjen. Rekuizitat gjuhësore të saj me sens e delikatesë, të kujtojnë gegnishten e Shkodrës, me gjithë ngrohtësinë dhe pasurinë e saj. Edhe në vëllimin e fundit E gjithkohshmja Andërr, autorja ndjek imagjinatën e saj krijuese. Rrjedha e lirizmit të saj, të kujton anijen e cila edhe kur lundron në ujërat e trazuara, është nisur të mbërrijë në ishullin e saj.

Donika Dabishevci është poetja më racionale në brezin e saj që të kujton shkollën e Lasgushit, megjithëse fryma e saj krijuese nuk është lasgushiane.
Ajo nuk krijon sa për të thënë – krijon për të lënë gjurmë, prandaj opusi i saj krijues meriton vëmendje. Duhet theksuar se midis librit të fundit E gjithkohshmja Andërr dhe atij pararendës Kam me ardhë si deka ekziston një distancë prej më shumë se tetë vitesh. Kjo është dëshmia më e mirë për pjekurinë dhe seriozitetin krijues të autores e cila shenjtërinë e poezisë e ndjenë dhe nuk shkruan sa për të bërë një numër më shumë.

ObserverKult

Lexo edhe:

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË U KUSHTOHET VIKTIMAVE TË LUFTËS NGA DONIKA DABISHEVCI

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË U JEP ZË VIKTIMAVE TË LUFTËS

GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË

AGRON GASHI: POETIKA E VDEKJES MIZORE TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”

AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA

TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT

SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE

AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!

DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!