Ahmet Selmani: Mbijetesa e qenies

mario bellizi

(Mario Bellizzi “Paqyra dhe hija”, Littera, Prishtinë, 2022)

Ahmet Selmani

Nga Ahmet Selmani

Mario Bellici është krijuesi më i veçantë në hapësirën e sotme poetike tek arbëreshët e Italisë. Këtë më së miri e dëshmon edhe me vëllimin poetik që titullohet “Pasqyra dhe hija”, me çka mund të thuhet gojaplotas se poezia e tij është një prirje e vërtetë moderne e postmoderne.
E theksojmë këtë për arsye se na vjen me një ligjërim të lashtë drejt kohës sonë për ta shndërruar praninë e tij krijuese në një shkëmbim të ndjeshëm në aspektin e përballjes
me rrethanat jetësore të qenies arbëreshe. Pra, në radhë të parë vjen me synimin e madh për ta shpërfillur globalizmin që gëlltit çdo gjë të mundshme në emër të retorikës së njëjtësimit të përgjithshëm.
Si një vetmitar i pakundshok në këtë pikëpamje, ashtu siç është edhe vetë mërgata
arbëreshe matanë detit, gjithsesi autori ndjek rrugën qenësore në kuptimin hajdegerian, thjesht duke u mbështetur vetëm në thelbin e saj, e cila ndodhet ndërmjet arkaikes dhe modernes, si një dukuri e veçantë fenomenologjike, me çka synon ta shqiptojë zërin e vet poetik me të gjitha shqetësimet e brendshme që e përcjellin në hapësirën ku jeton dhe vepron.
Duke mbetur besnik i fatit historik, ai nuk zhvendoset në asnjë mënyrë nga bërthama e kujtesës kombëtare; përkundrazi, me zërin e shprishur arbëresh vjen furishëm edhe në kohën tonë, duke përmbysur me elegancë frikën dhe mitin e përhapur se globalizmi po i përpin gjërat e vogla e të pafuqishme dhe duke krijuar realitetin e ricikluar si një amalgamë të pamëshirshme kulturore.

Poezia e Mario Bellicit është kundërvënie e këtij përjetimi real dhe mitik, është sprovë shumë e fuqishme për ta treguar vendosmërinë dhe vizionin e tij krijues. Nëpërmjet poezisë, ai përcjell dromcat ekzistenciale të qenies njerëzore, duke i ngritur ato në përmasa të qarta poetike. Kështu e përligj praninë e vet si subjekt lirik përballë kohës dhe hapësirës me të cilat krijon marrëdhënie të ngushta shpirtërore dhe të natyrshme njëkohësisht.
Si qëmtues dhe mbrojtës fanatik i gjuhës së mjedisit të tij, ai sjell tërë trashëgiminë e mundshme duke e ngritur poezinë në nivelin e një gjedhje të lakmueshme për lexuesin. Ai në mënyrë të guximshme rrënon mitin e zhdukjes së gjuhës, duke hedhur poshtë të gjitha zërat që e ushqejnë atë:

Këtu si Ora zezë
dica pëshpëritën se vdiqe … po është e rreme
ti fshihe e tund flamurin e kuq
më bën sythin nga një jirë.
Ec me shëndet, gjuha ime e hollë, gjuhë zganxirre.

Kështu e pohon mbijetesën dhe ngadhënjimin e saj, ndaj zhbiron çdo gjë të mundshme që i përket asaj, që nga gojëdhënat, përrallat e deri te rrëfenjat e ngjarjet e ndryshme. Ky është synim shumë fisnik i tij me çka e rikthen atë në vendin e vet si një thesar jo vetëm fjalësor, por aq më tepër edhe poetik.
Me anë të këtij ligjërimi ai paraqet pamjet jetësore, duke kaluar nëpër udhëkryqet e kohës, gjithnjë duke kërkuar atë që i përket atij dhe duke e risjellë në formë të kujtimeve e përmallimeve. Në fakt kemi të bëjmë me një ringjallje poetike të jetës arbëreshe, nga e kaluara tek e tashmja. Si pjesë përbërëse e këtij realiteti, ai shfaqet si Promete që rindez
zjarrin e lashtë.
Identifikimi me zjarrin është një ritual i dmosdoshëm, sepse rreth tij sillen të gjitha ndodhitë dhe rrëfimet e shumta. Ndaj jo më kot thotë “shpia është vatra”. E gjithë kjo shndërrohet në metaforë të jetesës në katundin arbëresh. Kjo do të thotë se zjarri është figurë themelore për zbulimin e qenies arbëreshe; aty frymon njeriu dhe jeta, dhoma dhe shtëpia, përjetimet dhe kujtesa, rrëfimet dhe dëshmitë etj.
Duke bredhur me ngulm në mjediset e katundit, ai ndeshet me realitetin e hidhur të cilin e ringjall nëpërmjet përfytyrimit dhe mbamendjes.
Ballafaqimi me mungesën e gjërave shkakton dhembje e mall përvëlues. Dhe për këtë arsye thotë:

Në gjelogjinë e brendshme
Nuk shikoj më katundin tim
Hithra u mbiu kudo
E ka përmbytur
Fëmijëria derdhet në ëndrrat
Të vdekurit
Lot që piksen
Bëhen det guri.

Pa dyshim kjo është lidhje shumë e ngushtë shpirtërore që shpërthen në çaste të caktuara. Autori kërkon ta ringjallë me anë të poezisë, ta risjellë si pamje të gjallë para lexuesit. Thjesht, ndryshimet që kanë ndodhur kanë krijuar zbrazëti të llahtarshme, ndaj patjetër t’i thotë me anë të vargut:

Nuk gjen më lule në këto shtëpi, as njerëz
Sheh të shprishura mbi truall vetëm livera të shqerr
Kufa me urth e pa grurë
Thit një erë si të rreshkët të mbylluri.

E gjithë kjo paraqet një marrëdhënie tepër të ndjeshme të poetit me mjedisin e katundit, ku gjithnjë e shpalos shpirtin e vet plot mall e dashuri. Në këtë mënyrë ai dhembjen e vet e shndërron në art, duke krijuar një pamje të gjallë e truallsore, plot përshkrime psikologjike e metaforike. Katundi bëhet topos i dhembjes dhe vetmisë. Aty e zbulon vazhdimisht qenien dhe shpirtin. Asnjë çast nuk ik prej tij, por i këndon me tërë dhembjen e bukur të tij:

Katundi im i rrethuar nga qetësimi
Pëshpërit fjalët të moçme
Të shkurtuara si jeta e të thella si errësira.

Pra e ndjen deri në palcë atë që ndodh me katundin, por sikur është e vetëmjaftueshme edhe pamja e tkurrur e tij për ta lartësuar me anë të ligjërimit poetik. Mbase më tepër brengoset për fatin e njeriut, sepse ai e mba gjallë jetën e katundit. Megjithatë, mungesa e tij shkakton trishtim të paparë, madje duke e detyruar të pyesë vetvetiu për këtë fat:
Pse fjuturojnë korrilat e dallëndyshet
Tek qielli i këtij katundi
Ndonëse udhët e sheshet janë pa fëmijë?
Kush i pret? Mosnjeri?

Në të vërtetë, me anë të këtyre vargjeve ai lëshon kushtrimin për shuarjen e katundit. Dhe lexuesi s’ka si të mos e ndjejë thellë këtë ndjenjë kaq të fuqishme njerëzore e krijuese. Kështu Mario Bellici edhe njëherë e dëshmon veten si zë burimor i qenies arbëreshe, duke u shfaqur natyrshëm me poezinë e tij si vazhdimësi e Jeronim De Radës apo edhe si një palimpsest i tij, duke e epërsuar frymën e vet poetike në një shkallë shumë të lartë, qoftë në rastet kur ligjërimi është krejtësisht i mëvetësishëm në aspektin e shprehjes poetike, figurës, konceptit, qoftë edhe atëherë kur shfaqet në mënyrë intertesktuale me ndonjë varg apo strofë të De Radës a ndokujt tjetër, duke krijuar tërësi të reja artustike.
Pra intertekstualiteti poetik i M. Bellicit është koncept tipik postmodern në përputhje me kohën dhe rrethanat e sotme. Si pasardhës dhe vazhdues i frymës së De Radës ai dëshmon se poeti jeton me poetin, e sjellin dhe e risjellin njëri-tjetrin nëpër kohë të ndryshme.
Në këtë rast Mario Bellici nuk shkëputet nga tradita paraprake, por e përsos atë në një shkallë të lakmueshme. Në fund të fundit, ai jo më kot thotë:
Në këmbë Zotërinj,
Unë jam Historia
Identifikimi me historinë është i mjaftueshëm për ta kuptuar lidhshmërinë shpirtërore të qenies së tij individuale dhe shoqërore. Ai vetëm e ripohon këtë në kontekstin e sotëm kohor e hapësinor. Prandaj poezia e tij mbetet ndjesi e thellë që ngjallet fuqishëm dhe të ndërgjegjëson për fatin dhe qenien e arbërshëve në rrethanat e sotme. Ky është autori që e sheh realitetin drejt në sy dhe bën qenien e sotme arbëreshe të mbijetojë si vizion artistik.

ObserverKult

Kliko edhe:

“PASQYRA DHE HIJA” E ARBËRESHIT MARIO BELLIZZI, TASHMË NË LIBRARI