Drejt një lufte pa kthim, tregim nga Mërgim Bekteshi

Mërgim Bekteshi

Nga Mërgim Bekteshi

Në ditën e dytë të nëntorit, Jashari po përpunonte një dollap të vjetër, kishte disa vite që ishte martuar me Ajshen dhe kishte tre fëmijë, djalin dhe dy vajza të njoma. Lufta e Parë Botërore kishte arritur edhe afër vendit të tij, jo shumë larg në verilindje. Jeta në fshat ishte bërë edhe më e vështirë që prej kohës kur rekrutimi për ushtarë kishte trokitur edhe në shtëpinë e tij. Nuk dinte se si do t’ia përshkruante nënës së tij dhe gruas së bukur me flokët e arta dhe me një lëkurë të bardhë, ikjen drejt një vendi të huaj, me ata pak kushërinj që i kishin mbetur, mbante më pak kontakte. Që ditën kur në ahurin e tij e kishte zërë Emrushin duke ia vjedhur kalin e vetëm që kishte, raportet ndërmjet tyre ishin acaruar. Emrushi mori lëndime në krah nga një stupc që përdori Jashari, familja e Jasharit u lëçit nga fqinjët, sepse Jashari nuk arriti të ofronte prova që Emrushi ishte hajn. Disa nga kushërinjtë e Jasharit kishin vdekur në mënyra të mistershme, për disa nuk ishin gjetur as eshtrat që t’u ktheheshin në fshatin e mistershëm, thuhej se fisi i tyre ishte i mallkuar e shtohej me vështirësi.

Kur hyri në dhomën e ditës, oxhaku ndizej më vështirësi shkaku i druve të njoma, nëna e tij qëndronte në një divan së bashku me djalin e tij duke u munduar ta qetësonte, ndërsa Ajshja ishte duke rehatuar dy vajzat e vogla, të cilat i ngjanin mamasë. U mundua ta dredhte një cigare, por duart nuk i bënin punë, lufta ishte ngjizur në trurin e tij dhe sikur parandiente një fat të lig.

-Nanë, nesër kam me u nis për Maqedoni – i tha – kam një letër, duhet me ju bashku një ushtrie, është urdhën i hyqymetit. Nëse nuk paraqitem kanë me më vra para thmive – kumtoi me një pasiguri.

Ajshja ndaloi për një çast, vajza gati po i binte nga duart, por ishte e pafuqishme të kundërshtonte të shoqin, për një moment e errëta e bë edhe më e dendur në dhomën e ndejës, vajguri sikur e zbehu ndriçimin. Në mbrëmje ajo u shtri pranë të tij, ishte i ftohtë, më kot lëshoi dorën në trupin e tij si mur, thuajse kishte vdekur i tëri. Mendimet e kishin dërguar në vende të pa kthim, një rrugë drejt vdekjes apo, shpresonte, kthimit, kishte sikletuar mendjen e malësorit. Gruaja e tij e bukur, me sytë e gjelbër, do të mbetej pa të, fëmijët e vegjël nën sytë e fqinjëve ziliqarë, të cilët ia dëshironin vdekjen.

Në mëngjes u mundua ta përqafonte gruan, ajo po bënte një gjumë të thellë, ta shtrëngonte me duart e tij të fuqishme të zdrukthëtarit, por më kot, gjaku kishte ikur nga venat dhe vetëm e shikoi bukurinë e saj, flokët plot ndriçim, gjoksin e mbushur, këmbët e drejta. Ajo, edhe pas lindjes së tre fëmijëve, kishte ende një bukuri magjepsëse, këtë dashuri e mbante nga brenda për të, por kurrë nuk arrinte t’ia thoshte. Në sy të njerëzve mbante një qëndrim të ngurtë dhe hezitonte ta shikonte me dashuri, kishte frikë se do të përqeshej nga të tjerët, por brenda digjej i tëri kur ajo e shikonte dhe i buzëqeshte tinëz, turpërohej edhe nga nëna dhe babai tij, i cili kishte vdekur tre vjet më herët nga një sëmundje e çuditshme. U ngrit nga shtrati pa fjetur dhe pa e shijuar dashurinë me gruan, që ndoshta mund të ishte edhe e fundit  për të, çfarë do të tregonte në botën e përtejme, në ferr apo parajsë? Purgatori nuk bënte pjesë në njohuritë e tij.

Edhe nëna e tij nuk kishte fjetur fare, kishte ndenjur gjatë gjithë natës pranë oxhakut duke e ngrohur vatrën. Oxhaku gjatë natës nuk e kishte pranuar tymin dhe herë pas here shpërndahej në dhomë. Mirëpo, plakën e shkretë nuk e kishte munduar tymi, ajo ndiente një parandjenjë ogurzezë për djalin e vetëm që do të ikte me kombet tjera drejt një luftë të mallkuar. Porsa e pa Jasharin, këmbët nuk i bënin punë që të ngrihej, por vetëm e përshëndeti.

-Bir, a bane naj sy gjumë? – e pyeti, pushoi pak, pastaj foli përsëri: – Pse nuk po fshefesh për një kohë, ik te daja Sheremet, ai munet me të strehu, tani lufta kryhet?!

Jashari nuk deshi të diskutonte me nënën për këtë temë, e dinte se ishte e vështirë të gjente një strehim të sigurt, pastaj njerëzit e hyqmetit do të vinin në shtëpi dhe do t’ia tmerronin familjen, në emër të urdhëresës do ta thyenin moralin, kishte fjalë gjithandej se çfarë bënin të huajt që ishin vendosur si kolonë dhe tani kishin pushtetin.

Në mesditë përgatiti rrobat, mori plisin e ri që e kishte blerë në Prizren, të vjetrin e la pranë dollapit të oxhakut, dëshironte të linte gjurmë të kthimit, por Vdekja e shikonte me dyshim, ngadalë paketoi ato pak rroba të leckosura, tirqit e bardhë i hoqi nga trupi dhe veshi një palë ngjyrë kafe, ky vendim u mor në çastet e fundit, përqafoi fëmijët aq fort sa nuk mund të ndahej, mori ngrykë nënën dhe kërkoi faljen biblike nga ajo. Biri im, ç’janë këto fjalë? dhe plaka e shkretë nuk mundi të përmbahej, nga sytë e saj të tharë filluan lotët. Në të dalë te dera e shtëpisë, gruas vetëm ia zgjati dorën, shpirti iu bë zjarr, por nuk merrte guximin ta përqafonte. Grua, të lutem, bëj marrëveshje edhe me djallin, por fëmijët dhe nënën mos m’i le vetëm, kujdesu për tokën dhe bagëtitë, shit çfarë të mundesh, por oxhaku le të ketë tym.

Në të dalë të fshatit ktheu edhe një herë kokën për të parë shtëpinë, tymi e zi që ngjitej larg në qiell i dukej se ishte duke u futur në mushkëritë e tij. Nuk arrinte të kuptonte punën e fatit që e tendoste, shpesh, kur nuk dinte se çfarë të thoshte, mendonte se edhe ai ishte i mallkuar, një mallkim që do ta përcillte edhe djalin e tij. Por, lutej që ky fat të mos e ndiqte të birin, të ndalej dhe të hakmerrej vetëm me të. Pas një orë ecjeje, arriti në fshatin më të madh, që mbahej edhe si komunë, aty takoi shumë burra të cilët kishin të njëjtën fatkeqësi, do të luftonin, por jo për atdheun e tyre. Mbi kalë qëndronte një si spahi, kreu i bashkësisë lokale që mbahej edhe për hoxhë, i njëjti mbante lidhjen me pushtetin e tanishëm sllav, por kishte pasur raporte të mira edhe me turqit, të cilët tash e dy vjet ishin larguar.

– Burra – iu drejtua turmës hoxha, i cili mbante një çallmë dhe tespihet vazhdimisht në dorë -Kjo luftë është në emër të Allahut, të gjithëmëshirshmit e fuqiplotit, gjaku dhe shpirti ynë do të jenë dëshmi për luftën tonë të drejtë!

Pas disa ditësh, batalioni, shumica e të cilit përbëhej nga shqiptarët e Kosovës, ku bënte pjesë edhe Jashari, arritën në vendin që bora e kishte mbuluar. Maqedonia dukej një vend i ndryshëm nga Kosova, Jashari mësoi se nga aty do të vazhdonin drejt Turqisë. Të nesërmen, pasi nisën udhëtimin, ndodhi një betejë e përgjakshme kundër disa forcave që kishin disiplinë të lartë ushtarake, por, sado që eprorët e batalionit mundoheshin t’i motivonin ushtarët e vet, pësuan dëme të mëdha. Nga goditja e një predhe topi, Jashari humbi njërën këmbë dhe mbeti pa vetëdije. Ditën tjetër, pasi u zgjua, mësoi se kishte mbetur pa këmbë, disa mjekë të huaj ia kishin prerë atë. Kur Jashari pa se këmba i ishte këputur, shpresat për kthim në vendlindje iu bënë të kota, koha kalonte, luftës nuk i dihej fundi, askush nuk e dinte se nën cilin flamur të rreshtoheshin.   

Pas disa vitesh, kur Luftës së Parë Botërore i kishte ardhur fundi, nga lajmet që kishte marrë nga vendlindja, Jashari kishte kuptuar se nëna i kishte vdekur një muaj pasi ishte larguar nga shtëpia, Ajshja ishte martuar me një kushëri të tij, pasi kishin kaluar disa vite dhe ajo kishte dëgjuar lajme se burri i kishte vdekur.

Jashari qëndroi edhe disa vite në një qytet duke kërkuar lëmoshë për të mbajtur shpirtin gjallë, u mundua të humbë identitetin, të paraqitej si i marrë, të sillej sikur nuk kishte familje, dhe pas disa kohe u zhduk nga ai qytet, askush nuk e dinte sa kah kishte tretur. Thuhej se kishte rënë në lumin më të madh të Maqedonisë, të tjerët shushuritnin se ai ishte kthyer në vendlindje, por ai nuk u kthye më kurrë.

Një pasdite, derisa Ajshja po piqte një bukë saçi, djali, i cili tani ishte rritur, i tha se baba kishte jetuar edhe disa vite pasi ishte kryer lufta, e kishte marrë vesh, ishte e vërtetë, ajo lëshoi saçin nga sfurku dhe mendoi se ishte nxituar që të martohej me Hamitin.

Ai ndoshta është akoma gjallë, mendoi ajo.

ObserverKult


Lexo edhe:

REKOMANDIME LEXIMI NGA MËRGIM BEKTESHI

LIBRI “KUNDRIME LETRARE” I MËRGIM BEKTESHIT, TASHMË NË LIBRARI

MËRGIM BEKTESHI: “PORTRET I PAPËRFUNDUAR” I AGATHA CHRISTIE

MËRGIM BEKTESHI: PROCESI I JOZEF K.-SË, I PASHMANGSHËM EDHE PAS GATI NJË SHEKULLI

MËRGIM BEKTESHI: “KRONIKË NË GUR” DHE NOBELI I NGURTË


MËRGIM BEKTESHI: LEHTËSIA DHE E PADURUESHMJA TE KUNDERA

MËRGIM BEKTESHI: DO TË KUJTONIN VETËM LAVDINË…