Poezi nga Fatos Arapi
Është një lojë e madhe, e dashur
lodrojnë fjalët, ritmet, rimat;
përqafohen figurat, vijnë rreth dritave
si fluturave prej rrezeve të diellit
……….u përzhiten krahët
ato prapë gicilohen me dritat
Lojë e hapësirave
që mbyllen të gjitha në buzët e tua
kur ti vetë qenke në buzë të jetës
……….firomë e mërmërimës së tyre
Është një lojë e vërtetë, e dhemshura ime
lojë e mjergullave, që treten nëpër agime
për të rilindur mbrëmjeve në gjire të fushës
………..së detit
e legjendave, që jetojnë midis mjergullave
që braktisin vet legjendat
e të nesërmen përsëri dalin prej tyre
si zogjt e pëllumbave – prej lëvozhgës së butë
lojë e ëndrrave, që shartohen nëpër trungun
……….e ëndrrave
e dallëndysheve që sapo ngritën folenë
………. brenda syve të tu
loja jote dhe imja;
lojë e vdekjes dhe e përjetësisë.
ObserverKult
Lexo edhe:
Lexo edhe:
“DIKUSH MË BUZËQESHTE”, TREGIM NGA FATOS ARAPI
Poet, prozator e eseist, Fatos Arapi është një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Ishte përfaqësues i denjë i Brezit të viteve 1960, që modernizoi vjershërimin dhe mjetet e shprehjes letrare në përgjithësi.
Arapi solli një mendim e figuracion të ri në letërsinë shqipe, duke e emancipuar poezinë e kohës nga rutina poetike dhe notat retorike.
Veç tjerash atë e dallon edhe forca e depërtimit në botën e individit. Me këtë rast metonimia, simboli dhe detajet e goditura i japin forcë shprehëse krijimeve të tij.
ObserverKult ka zgjedhur për ju tregimin “Dikush më buzëqeshte” nga Fatos Arapi.
Për ta lexuar klikoni KETU
ObserverKult