Loreta Schillock flet për Antologjinë poetike shqip-gjermanisht “Përtej harrimit”

loreta schillock

Shtëpia botuese “Antha”, në Berlin këto ditë ka nxjerr nga shtypi antologjinë dy gjuhëshe shqip- gjermanisht „Përtej harrimit – Jenseits des Vergessens“, përpiluar nga Drita Ademi dhe përkthyer nga Loreta Scillock.

Në vazhdim ju ftojmë të lexoni një bisedë me përkthyesen Schillock:


Antologjia “Përtej harrimit – Jenseits des Vergessens“

Intervistoi: Vlora Ademi

Këto ditë doli nga shtypi Antologjia „Përtej harrimit – Jenseits des Vergessens“. si po pritet?

Loreta Schillock : Po, së pari falenderoj shtëpinë botuese “Antha”, në Berlin, Gjermani, për nxitimin e botimit të kësaj antologjia, me qëllim që të mundja ta promovoja këtë muaj në Shqipëri.

Si po pritet? Në rrjetet sociale vë re jo vetëm vlerësimin e lartë, që i bëhet kësaj antologjie, por edhe interesimit për blerje. Një përkushtim të theksuar po gëzoj nga gazetat dhe kanalet televizive në Tiranë. Promovimi në Tiranë doli me sukses. Nga Gjermania dhe Zvicra më janë bërë propozime promovimesh.

Si filloi gjithçka? Nga erdhi idea për një antologji me poezi të poetëve shqiptarë të përkthyer në gjermanisht?

Loreta Schillock : Iniciatorja e kësaj antologjie ishte poetja Drita Ademi. Ishte dëshira e saj e zjarrtë të përpilonte një antologji me poezi të gjuhës shqipe. Të poetëve nga pothuajse gjithë trevat e Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit në gjermanisht dhe më zgjodhi mua si përkthyese. Duke e përshëndetur një iniciativë të tillë personale e mora përsipër dhe u përkujdesa më vonë për përfundim të përbashkët të librit dhe gjetjen e shtëpisë botuese në Gjermani.

Fillimisht si u bë përzgjedhja e poetëve që vendosët t’i përkthenit?

Loreta Schillock : Përzgjedhja e pjesës më të madhe të poetëve dhe poezive u bë nga Drita. E rëndësishme ishte pjesëmarrja gjeografike, një larmi motivesh dhe ndërthurrja midis poetëve të njohur dhe të ashtuquajturit më pak të njohur. Vendosja përfundimtare e poetëve nuk ishte e lehtë për ne. Patëm edhe shumë të tjerë, për të cilët shprehim keqardhjen e moszgjedhjes.

Sa ishte i vështirë përkthimi, çfarë lloj përkthimi keni zgjedhur të bëni, meqë dihet që ka kritere të shumta përkhimi?

Loreta Schillock : Përkthimi më është kthyer në pasion dhe si të tillë e bëj me shumë dëshirë dhe përkushtim. Unë nuk respektoj asnjë shkollë përkthimi. E lexoj poezinë aq herë në shqip, derisa e bëj të timen. Pastaj ia përshtas leksikën, semantikën, mjetet stilistike.

Por gjithmonë duke synuar, që poezia e përfunduar në gjermanisht, të jetë e krijuar sikurse të ishte në gjuhën origjinale. Një parim i im themelor bazohet te depërtimi i ndjenjës nga shqip në gjermanisht, duke mos e tradhëtuar ndjenjën në origjinal.

Sigurisht përkthimi i poezisë është më i vështiri, sa jeni sfiduar, sa keni patur probleme gjatë përkthimit?

Loreta Schillock : Në përvojën time disavjeçare në fushën e përkthimit ka qenë dhe është e pashmangshme vështirësia e përkthimit. Në fakt përkthimi im i parë ka qenë në zhanrin e lirikës, më 2009. Që prej asaj kohe kam përkthyer të gjitha zhanret, por natyrisht, përshtatja e poezisë në një gjuhë tjetër mbetet një sfidë në vetvete. Nuk e di, por ndoshta ngaqë jam edhe vet poete, nuk e kam ndier ndonjëherë dallim e vështirësisë në përkthim midis zhanreve.

A ka patur poezi që keni menduar të hiqni dorë, që ju ka lodhur aq sa keni thënë me vete: ta ndërroj këtë, ta marr një tjertër?

Loreta Schillock : Më bëtë për të qeshur. Ka patur me të vërtetë poezi, të cilat më kanë munduar jashtë mase. Por duke pasur karakter këmbëngulës, jam sfiduar vetëm në aspektin kohor. Ka pasur poezi, të cilat i kam përfunduar pas disa javësh. Nuk do ndihesha mire nëse nuk do të mundesha të përfundoja përkthimin e një poezie të nisur. Ndoshta në favor timin ishte edhe koha e pakufizuar në përkthim.

Poezitë, kanë atë melodinë, ritmin, rimat, atë muzikalitetin e tyre, që vështirë bartet nga gjuha në gjuhë. Si ia keni bërë?

Loreta Schillock : Melodinë, ritmin dhe muzikalitetin jam përpjekur t’i përcjellë në gjuhën gjermane. Me rimën është shumë vështirë. Pata fatin e mirë, që pjesa më e madhe e poezive ishin me varg të lirë.

Është ende herët, por a i keni marrë ato përshtypjet e para nga lexuesit gjermanofolës?

Loreta Schillock : Nga lexuesit e vazhdueshëm të përkthimeve të mia, me të cilët konsultohem shpesh para botimeve, poezitë janë pëlqyer shumë. Po njohim një botë tjetër ndjenjash, më thoshin.
Lektori i shtëpisë botuese Anthea, z. Paul Richter më tha: “E kush thotë që poezia nuk përkthehet? E kam lexuar me një frymë dhe nuk kisha të ngopur.”
Nga shtatori e tutje, pasi të jem në Gjermani, do njihem me përshtypjet e lexuesit të gjerë, mendoj.

Në Tiranë u promovua, po në Prishtinë e Gjermani, a do të ketë ndonjë promovim të librit?

Loreta Schillock : Më 26 gusht 2022 do jetë edhe në Shkodër. Po organizohet një promovim i dytë në Shqipëri në Galerinë Oda. Me keqardhjen më të madhe kthehem në fund të gushtit për në Gjermani, pa arritur të jem në promovimin në Prishtinë. Por kjo nuk do mbetet pas dore.

Përsa i përket promovimeve në Gjermani, që në ditët e pasme të botimit më kanë bërë kërkesë për promovim. Ndërkohë që shtëpia botuese „Anthea“ do jetë me mua dhe antologjinë duke e promovuar në panairet e Frankfurt-it dhe të Leipzig-ut. Gjithashtu, bashkë me ideatoren, Dritën, po mundohemi që një promovim ta organizojmë edhe në Zvicër.

Dhe, a është nxitje për përkthim të mëtejshëm poezish kjo antologji, apo jo?

Loreta Schillock : Natyrisht. Mua si fillim mu bë si sëmundje ngjitëse përkthimi i poezive. Nuk reshtesha duke u ngopur me aq shumë shpirtra të larmishëm poetik shqiptar dhe bëhesha e padurueshme ndaj Dritës duke e pyetur për poezitë e tjera në vijim.
Kjo antologji ishte edhe nga ana ime e para, por nuk besoj se do jetë e fundit.

Ju falenderoj për intervistën!


ObserverKult

Lexo edhe:

DOLI NGA SHTYPI ANTOLOGJIA “PËRTEJ HARRIMIT” (JENSEITS DES VERGESSENS)