Manjola Brahaj: E ndjej se kam qenë këtu

manjola brahaj t'shtifsha

E ndjej se kam qenë këtu…
Kam qenë pemë n’kopshtin
e ullinjtë t’syve tu
Jam flijue për me u ba nji me ty.

E di që kam qenë këtu…
Kam qenë uji me t’cilin je la.
Toka ku ti ke shkelë, e ke shku.
Jam shkretue stinë mbas stine pa t’u afru.

Mundet me pasë qenë këtu…
N’kët botë universesh t’pafundmë;
kam qenë nota, kur ti ke qenë kanga,
kam qenë zgjimi, kur ti ke qenë andrra,
kam qenë drithma, kur ti ke qenë përqafimi,
kam qenë puthja, kur ti ke qenë kafshimi,
kam qenë druni, kur ti ke qenë zjermi,
kam qenë pija, kur ti ke qenë jermi,
kam qenë hana, kur ti ke qenë qielli,
kam qenë drita, kur ti ke qenë dielli,
kam qenë fjala, kur ti ke qenë goja,
kam qenë fmija, kur ti ke qenë loja,
kam qenë ngjyra, kur ti ke qenë stina,
kam qenë gjithçka
e jotja,kur ti ke qenë gjithçka e imja.

Në nji kohë t’pakohë,
ku muzgjet bajnë dashuri me terrin,
ku vitet nuk janë ma shenja orientimi,
kam qenë e jotja, kur ti ke qenë i imi.

E ndjej se kam qenë këtu…
dhe n’atë vorbull mjegullash
jam kryqëzue në t’ullinjtën e syve tu.

ObserverKult

__________________

Lexo edhe:

MANJOLA BRAHAJ: HISTORI DASHURIE
MANJOLA BRAHAJ: E PARA ASHT DASHNIA

ObserverKult