Pyetësori i Prustit/ Zyrafete Shala: Nuk mund ta imagjinoj dot se si do të ishte jeta pa letërsi!

zyrafete shala

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet poetja dhe studiuesja Zyrafete Shala.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Nëse ekziston lumturia, ajo është e përkryer. Unë e shoh lumturinë të lidhur ngushtë me pikëvështrimin mbi jetën, me preokupimet, synimet, pritshmëritë, rëndësinë që u japim njerëzve e gjërave të caktuara, investimet emocionale që bëjmë në ta, por edhe ato që marrim prej tyre. Arritja e një pike ku të gjitha këto baraspeshohen mes vete, është lumturia, apo më saktësisht është çasti i lumtur, sepse kjo baraspeshë nuk mund të zgjasë shumë, përderisa jeta vazhdon të mbetet një panta rhei e Heraklitit. Nëse rastësisht do të mund të katapultohesha në një botë që funksionon mbi të tjera ligjësi, ku nuk do të kishte urrejtje, nuk do të kishte smirë, as dhunë e luftë, nuk do të kishte asnjë gjallesë të uritur e të sëmurë, ku njerëzit nuk do të udhëhiqeshin nga interesat meskine e makutëria, por nga urtësia dhe dashuria…dhe nëse në një botë të tillë do ta gjeja diku një vend sado të vogël për bibliotekën time, atëherë do të mund të konsideroja se e kam gjetur lumturinë e përkryer. 

Cila është frika juaj më e madhe?

Kam frikë që mund të jetoj aq sa të ndjej se jam e padobishme për më të dashurit e mi.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Nënën time. Është njeriu që mendoj se i ka tejkaluar mundësitë e veta për të ruajtur unitetin e familjes.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Pa dëshirën time, shpesh e gjej veten duke u identifikuar me Nolin dhe me Fishtën, ndoshta sepse i përjetoj deri në thellësi të qenies sime situatat e përditshme zhgënjyese ku e shoh qartazi atë paaftësinë tonë kolektive për të kuptuar detyrat tona morale, për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë secili nga ne, që të kemi një shtet normal, që t’u tregojmë pasardhësve se kemi ditur ta shfrytëzojmë momentin historik për të cilin na u desh të kalojmë nëpër rrathët e ferrit. Dhe më shumë se kudo tjetër, deformimet kolektive të shfaqen lakuriq kur punon në ndonjë institucion publik, sepse secili nga këto institucione, në fakt, është shteti në miniaturë. Ngarendja për përfitime personale, paturpësia me të cilën favorizohen njerëzit e paaftë për detyra të rëndësishme, nepotizmi, mospërfillja e ligjit, glorifikimi i injorancës dhe përbuzja e vlerave, pothuajse çdo ditë më sjellin të freskëta thirrjet dëshpëruese të vargjeve të Nolit e Fishtës.      

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Besimi që krijoj shpejt te njerëzit, ende pa i njohur mirë, ndoshta është një përpjekje për t’i krijuar vetes iluzionin se në botë ka shumë njerëz të mirë, ndaj herët a vonë bota do të jetë më e bukur.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Përpjekja për t’u paraqitur ndryshe nga ajo që janë në të vërtetë, pa qenë të vetëdijshëm se origjinaliteti, sado që përpiqesh ta ndrydhësh nën maska, e gjen rrugën për të dalë në sipërfaqe, qoftë edhe si një fije bari që mbin në hapësirat e betonuara. Shumë vite të jetës i kam kaluar me një person që fillimisht e kishte pasion psikanalizën, e më pas u bë profesionist në këtë fushë. Nëpërmjet zakonit tonë për të diskutuar leximet e përditshme, unë fitova njohuri mbi mënyrat se si pavetëdija zbulon të vërtetat e fshehura që ne mund t’i konsiderojmë të padëshirueshme. Nuk më pëlqen shtypja e natyrshmërisë.

Në cilat gjëra e teproni?

Kam përshtypjen se e teproj me obligimet që ia ngarkoj vetes dhe kohën që caktoj për përmbushjen e tyre.  Dhe është shqetësues fakti se kjo mënyrë e të jetuarit, me barrë mbi supe, ka filluar t’i marrë tiparet e të zakonshmes. Këtë tendencë, për t’i marrë të gjitha përgjegjësitë mbi vete dhe të besuarit në forcat vetjake filozofi francez Gaston Bachelard e ka quajtur Kompleksi i Atlasit.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Nëse një gënjeshtër imja do t’u shërbente njerëzve të mirë për të dalë nga një situatë e vështirë, besoj që ia vlen të gënjej. Ose thjesht, nëse gënjeshtra i bën njerëzit të ndihen mirë. Kur e shoh se si gënjeshtra sot na servohet pa fije turpi ngado dhe për qëllime nga më të ulëtat, atëherë mendoj që pakrahasimisht më shumë ia vlen të gënjehet për qëllime më të larta. Në këtë pikë jam makiaveliste. 

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Çdo rrugëtim që ka për qëllim ngritjen shpirtërore, avancimin intelektual, zgjerimin e kufijve të njohjes, rritjen e aftësisë për të kuptuar vuajtjen e të tjerëve. Jam shumë e bindur se rrugëtimet e tilla janë njëkohësisht edhe mënyra më e mirë për të njohur veten dhe për t’i evituar boshllëqet që janë krijuar gjatë ndërtimit të personalitetit.
Në kuptimin e parë të fjalës, rrugëtimi im i preferuar është gjithnjë ai që më çon në shtëpi, veçanërisht, nga puna në shtëpi.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Kam përshtypjen që e përdor së tepërmi frazën: Unë mendoj… apo thjesht mendoj dhe kjo besoj është shfaqur si rrjedhojë e të jetuarit në mjedisin ku shfaqen hapur tendencat e imponimit të mendimit e bindjeve. Mbase është një mënyrë për t’i bërë me dije bashkëfolësit që nuk po përpiqem ta bind domosdoshmërisht.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Janë shumë gjëra për të cilat jam penduar, edhe pse e di se pjesa dërmuese e tyre më kanë shërbyer si mësime në jetë. Por, turbulencat më serioze në rrugëtimin jetësor më ka shkaktuar orientimi i gabuar profesional dhe koha që më është dashur për të marrë vendimin e shkëputjes prej tij. Kohën prej tre vjetësh të studimeve në mjekësi, nëse jo kohë të humbur, e konsideroj si një periudhë të dëmshme për mua. Është absurde për mua pse vendimet më të rëndësishme në jetë na duhet t’i marrim kur jemi shumë të brishtë.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Duke i lënë jashtë konkurrencës këtu fëmijët dhe familjen time,  gjë që nënkuptohet, dashuria më e madhe e jetës sime është letërsia. Thjesht, nuk mund ta imagjinoj dot se si do të ishte jeta pa letërsi. 

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Për momentin asnjë emocion nuk është dominant mbi të tjerët, jam në një gjendje qetësie dhe ekuilibri, ngjashëm me atë që pas një beteje të gjatë me demonët, ka arritur t’i mposhtë ata dhe tani ndjen nevojën të prehet në qetësi për mbledhur forca të reja.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Të mësohem t’u shpreh me fjalë njerëzve të dashur rëndësinë që kanë në jetën time.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Çdo hap i bërë në jetë është mundi, energjia dhe emocioni që kam investuar, prandaj vështirë të veçohet një arritje. Jeta nuk u tregua aq bujare me mua, përkundrazi, më dha edhe goditje serioze, nga ato që arrijnë humbasin orientimin dhe vullnetin për të vazhduar tutje. Prandaj, rimëkëmbja pas këtyre rënieve të tmerrshme, mendoj që vlen të përmendet si arritja më e madhe, pa çka se diçka brenda meje nuk ka arritur asnjëherë të rikthehet në jetë. 

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Do të doja t’i zhbëj të gjitha ato situata kur jam bërë shkak i vuajtjes së dikujt. 

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Do të doja të isha ai bliri gjigant që kam në oborrin tim dhe që ishte dëshmitar i heshtur i dinamikës së jetës sime… kështu do isha më pranë fëmijëve të mi.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Të gjitha ato gjëra që më lidhin me njerëzit e dashur dhe më mbajnë të freskëta kujtimet e bukura.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Zhveshjen nga virtytet njerëzore dhe mungesën e aftësisë për të kuptuar dhimbjen e tjetrit.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Kudo ku vjen aromë shtëpie.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Të tjerët ma përmendin qetësinë, por unë mendoj që është durimi që më ka ndihmuar më së shumti në jetë. Qoftë durimi për t’iu përkushtuar gjërave të rëndësishme, qoftë për të tejkaluar vështirësitë.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

Sinqeritetin dhe vetëpërmbajtjen.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

Në radhë të parë intelektin, e më pas aftësinë për ta bërë shtëpinë vendin më të dashur për familjen.  

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Janë shumë: Milan Kundera, Nikos Kazantzakis, J.M. Coetzee,.. Fatos Kongoli, Zija Çela, Xhevdet Bajraj… etj.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Heronjtë e mi të gjallë janë njerëzit që kanë forcë të përballen me jetën, që pavarësisht sa shpesh i humbin betejat, sërish ngrihen për t’i dhënë mundësi të reja vetes. Si heronj i shoh edhe ata që nuk joshen nga shkëlqimi sipërfaqësor i gjërave, por që gërmojnë për të gjetur të vërtetën, esencën, sado thellë që të jetë.  

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Do të doja që rrahjet e zemrës të di t’i kthej në fjalë.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Do të doja të vdes në shtëpi, pasi të përfundoj librin që do ta kem në lexim.

Cila është motoja juaj?

Gjërat më të mira dhe më të bukura në botë nuk mund të shihen e as të preken – ato ndjehen.

ObserverKult

Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT/BESIM REXHAJ: MOSMIRËNJOHJEN NUK MUND TA GËLLTIS!

PYETËSORI I PRUSTIT: ADEM GASHI/ LUFTA ËSHTË SHPIKJA MË E POSHTËR E NJERËZIMIT