E gjithmonshmja dashni, poezi nga Donika Dabishevci, lexon Engjëllushe Alla (VIDEO)

donika dabishevci e gjithmonshmja dashni

Donika Dabishevci: E gjithmonshmja dashni

Nji hap para veç e kish,
kur u rrëzue si shkamb i bashëm shtatrandë
dhe e puthi tokën.

Nji lulebozhure iu qëndis mjedis shpatullash,
lulebozhure ujitun me vrushkuj t’nxehtë gjaku.

Dritë e hanës përthyhet n’t’kuqen e ndezun.
Llamburit fort!

S’don me ju zanë besë syve, ajo.
M’u qorrofshin të dytë, thotë,
teksa ndihet edhe krisma tjetër.

Dhimta tmerrësisht therrëse s’e ndali.
Kambadoras e marramendun
rropatet mjedis plumbash
drejt trupit t’dashtunit
tuj zvarritë.

Lotët i rrëshqasin si gur n’rrënoja
t’nji kështjelle të shkatrrueme…

Tre hapa sa tre shekuj!

U plandos mbi trup t’tij
ngrimun si mermer,
e përqafoi çehrebardhin
shikim mbetun drejt qiellit,
iu lëbyrën sytë,
iu terratis gjithçka
… dhe vdiq!


Trotuari u kuqlue.
U la n’gjak.

Ish e diel e tyre e fundit,
vrapim i fundit,
përqafim i fundit, ish!

Asht dashnia ajo
që s’e ndalin
as plumbat,
as ploja,
as kurthet,
as pritat
as çmendunia
as absurditeti i luftës.

E përjetshmja.
E përtejshmja.
E gjithmonshmja.


Admira Ismiç dhe Bosko Brkiç edhe pse ishin të pajisur me lejekalim u qëlluan prej snajperësh më 19 maj 1993 teksa po e kalonin Urën Vrbanja në Sarajevë, zonë kjo neutrale në atë kohë.
Bosko u qëllua i pari e fill pas tij Admira, e cila frymën e fundit e ruajti për me mbërri te trupi i të dashurit e me i mbyllë sytë mbi të.
T’dashuruarit që vdiqën t’përqafuar njihen tashmë si Romeo dhe Zhulieta e Bosnjës.


Poezia është pjesë e librit të Donika Dabishevcit “E gjithkohshmja Andërr”, Littera, 2024, Prishtinë, që i kushtohet në tërësi viktimave të luftës

ObserverKult

Lexo edhe:

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” E DONIKA DABISHEVCIT VLERËSOHET SI LIBRI MË I MIRË ME POEZI NË PANAIRIN E LIBRIT NË PRISHTINË

Kliko recensione për këtë libër:

  1. GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
    2. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
    3. E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
    4. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
    5. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
    6. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
    7. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
    8. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE

    9.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
    10. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
    11. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
    12. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT

    13:DRITA FEJZA: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË RUAN KUJTESËN HISTORIKE DHE NDERON VIKTIMAT E LUFTËS!
    14. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!