Gëzim Aliu: “E gjithkohshmja Andërr”, poemë për njeriun në luftë

sadedin mezuraj Timo Merkuri Bajram Mjeku E gjithkohshmja Andërr

Donika Dabishevci është poete e vargjeve të dashurisë, të ndjenjave, të ndjesive, të përjetimeve, të dëshirimeve, por në thellësi të poezive të saj pulson edhe një energji që i avitet vdekjes, dhembjes, vuajtjes, fundit, nganjëherë edhe tmerrit. Derisa në librin “Kam me ardhë si deka”, temë qendrore është dashuria dhe fazat e zhvillimit të saj, në librin “E gjithkohshmja Andërr” është lufta, më saktë, njeriu në luftë, njeriu i thjeshtë në luftë. Lufta në këtë libër është përbindësh që shkatërron, thërrmon, përgjak, çrregullon, ndryshon gjithçka për njerëzit që thjesht duan ta jetojnë jetën e tyre, në vendin e tyre, në tokën e tyre, në shtëpitë e tyre.  

GEZIM ALIU E gjithkohshmja Andërr

Nga Gëzim Aliu

Në librin “Kam me ardhë si deka”, vërehet prirja e autores për përdorimin e të rrëfyerit lirik për dashurinë, ndarjen, humbjen, dhembjen. Kjo prirje rrëfimtare, me shtresim të fortë elegjiak, shprehet edhe në “E gjithkohshmja Andërr”.

Të rrëfyerit e ngjarjeve dhe storieve të luftës përmes vargjeve është elementi qendror dhe shques i librit “E gjithkohshmja Andërr”.

Qysh në poezinë e parë “Granatimi”, të ciklit të parë “Zanun n’lak” hasim në një skenë që paralajmëron fillimin e luftës: Idili i përshkruar me nota të larta lirike e madje bukolike, shqyhet nga granatat. Kontrasti i krijuar në poezinë e fillimit na fut në luftë, shohim njerëz të ikur që fshihen shtëpive, që tashmë nuk e kanë kuptimin e parë, të vatrës, të familjes, të dashurisë, të strehës së ngrohtë. Lufta e zhbën konceptin e shtëpisë, nuk mund të ketë filozofime për të, si strehë e njeriut dhe e jetës së përditshme. Muret, kulmi, bodrumi shndërrohen vetëm në mjet të brishtë, në mundësi të vogël shpëtimi (poezia “Shpija”). Zhbërja e konceptit të shtëpisë, të vatrës, të hapësirës ku njeriu ndihet më së miri, i rrëshqet drejt urisë personazhet ikanakë, refugjatët. Uria ngadalë fillon ta zhbëjë edhe konceptin e trupit, harrohet shpirti, mendja, ëndrrat, jeta e rëndomtë: mungon buka, zbehet dinjiteti, e zonja e shtëpisë, nanëhall-ja, nuk mund të ndajë bukë (poezia “Simfoni zorrësh”). Mungesën e bukës e shfrytëzojnë profiterët, storia e luftës vazhdon, estetizohet brutaliteti, për shembull në poezinë “Ulurinë deka”, ku vargjet rrjedhin gjak. Por, gjithmonë ekziston ëndrra për të shpëtuar nga lufta dhe vargjet e poezisë “E gjithkohshmja Andërr” e japin këtë shpresë me fuqi të plotë njerëzore dhe artistike, që zgjatohet edhe në poezinë “Ngryk’”. Edhe pse “Tuj i ik dekës”, “Tuj ec n’mina”, “Rrethuem katëran’sh”, para “T’shtanave batare” e duke përjetuar të gjitha tmerret e lemeritë, vrasjet, masakrat, personazhi kryesor i kësaj poeme, Njeriu, i dëmtuar rëndë, duke u zvarritur, i vrarë keq, i plagosur në krejt trupin, e do jetën, vazhdimisht përpiqet t’u ikë vdekjes, luftës, vrasësve, masakrave.

Rrëfimi poetik për njeriun, për njerëzit e paqes që nuk e duan luftën, por që sulmohen nga ajo në çdo qelizë të jetës, vazhdon edhe në ciklet e tjera të librit.  

Cikli i dytë “Lakmia me u çmend” u kushtohet gruas, nënës, vajzës, motrës, fëmijës, birit, bijës, të vrarë e të prerë nga lufta. Poezitë e këtij cikli janë edhe më prekëse se të ciklit paraprak. Ndeshim vargje dhembshurie për nënën që gjendet në kufi të çmendjes, por prapë përpiqet që të birin ta qetësojë me ninulla, ndiejmë ankth për vajin e foshnjave të pafajshme që mund të zbulojë vendqëndrimet e ikanakëve, rrëqethemi nga dëshira e tmerrshme, ekstreme, e shprehur nga nëna që i biri të vdesë për të mos vuajtur nga dhembjet e mëdha të plagosjes së rëndë, pafuqia të përfshin për nënën që nuk mund ta shpëtojë fëmijën nga duart e kriminelit dhe vritet edhe ajo, pikëllimi të pushton për nënën e vdekur e fëmijën që nuk di çfarë të bëjë, lotët shpërthejnë për të voglën gjashtëmuajshe që vritet dhe nuk merr vesh gjë nga kjo botë, për nënën që çmendet pasi ia vrasin vogëlushin, nënën që hidhet në greminë pasi merr vesh që ia kanë vrarë fëmijët, fëmijën e plagosur që mbetet fillikat vetëm, në agoninë e vdekjes, në terrin e zi të natës;  lufta ironizon me vajzën që përpiqet ta thërrasë ndihmën e shpejtë të vrasësve të familjes dhe asaj vetë, e rëndon mjeken me dilemën: t’i ndihmojë pacientit apo të ikë ta shpëtojë djalin mes rrënojave të ndërtesës së bombarduar.

Cikli i tretë “N’luftë me korba” hapet me poezinë “Ngjitun si thue n’mish”, që është rrëfim në vargje për historinë e jetës dhe të dashurisë së një çifti, të cilët i zë lufta tashmë të plakur; analepsa e jep përmbledhtas jetën e tyre të gjatë, mund të thuash të lumtur, por që në pleqëri të thellë përfundon tragjikisht: i djeg lufta, shtëpitë e tyre, trupat e tyre, kujtimet e tyre. Lufta, kjo qenie e tmerrshme, i detyron burrat që t’i hapin vetë varret, të cilët ngadalë, sikur të bënin ndonjë vepër delikate arti, e zgjasin gërmimin duke shpresuar të shpëtojnë, tri vajza të reja i përdhunon dhe i hedh në bunar, e bën burrin t’i buzëqeshë plumbit, që e ‘kursen’ nga vdekja e ngadalshme, torturuese, gjymtuese, përdhosëse; lufta ua vret trupat dy të dashuruarve, por kurrë nuk mund t’ua vrasë dashurinë, sepse ajo përjetësohet në vargje e vepra artistike; lufta ua mëson të zhvendosurve anatominë, të cilët i mbledhin copat e trupave të të dashurve të vet për t’i varrosur.

Lufta vazhdon edhe në ciklin e fundit, të katërtin “Dhimta t’ngufatuna n’ofshama t’pazashme”, duke nxjerrë nga dheu çiftin-skelet, që janë vrarë duke u puthur, ajo shpërndan ‘aromën’ e vdekjes të trupit të vdekur të njeriut, lufta bëhet ‘piktore’, e ngjyros peizazhin e vet, e bën si “çarçaf të purpurt flakë”, shfaq pamundësinë e ahut shekullor, të regjur luftash, që ta mbulojë me hije e fllad Omerin e ri të varrosur në rrënjë të tij, i fut njerëzit në karusel të vdekjes, pastaj vargjet shtrojnë pyetjen se a mund të mësohet njeriu duke lundruar në gjak, duke shpresuar, si në atë grafitin e famshëm se Lufta ka me përfundue nji ditë/e unë kam me iu kthye poezisë.

Janë tri poezi kah fundi i këtij cikli që fillojnë ta nxjerrin lexuesin nga rrëfimi, nga ngjarjet e storiet e luftës, gjendemi tashmë jashtë saj. Jeta e mund luftën, e mund vdekjen, me çmim shumë të madh.   

“Çelësi” është poezi për një trohë paqe të çelësit që gjendet mes të çarës së një saksie betoni lulesh, para një shtëpie të rrafshuar. Kthimi te shtëpia, te koncepti i shtëpisë përmes vargjeve të kësaj poezie është shprehje mendimesh për luftën e pasojat e saj, është meditim për heshtjen që pason, për kureshtjen e ndonjë kamere turistësh, për harrimin e njerëzve që dikur i kanë dhënë shpirt asaj shtëpie. Poezia prekëse “Nanat e dëshmorve” skalit figurat e nënave që nuk qesin lot te varret e bijve dëshmorë. Krenari e dhembje pa lot, kjo skulpturë e gjallë e tmerrit të luftës! Mungesa e lotëve është kulmi i tmerrit. Nënat e dëshmorëve, martirëve, viktimave, nënat e njerëzve të rëndomtë që sulmohen nga bërësit e luftërave kudo në botë vetëm për shkak se e duan jetën në vendin e vet, gjenden prapë në botën ku “Gja s’ka ndryshue”, që është poezia e fundit e librit. Të filozofuarit e të menduarit për jetën e vdekjen është i pranishëm në këtë poemë për njeriun në luftë, është i shkrirë mes vargjeve, i dukshëm ose i nënkuptuar, por përqendrohet në këto tri poezi, edhe si qëndrim autorial karshi luftës e luftërave.     

Edhe pse libri përfundon disi pesimist për gjendjen njerëzore që e krijon luftën, dashuria për jetën ndihet, dëshira për të jetuar ndihet, shpresa, besojmë, nuk shuhet. Andrra për jetën pa luftë është e gjithmonshme, e gjithëkohshme.    

“E gjithkohshmja Andërr” ec me një ritëm të rëndë, gjatë leximit duket sikur i sheh rrotat, rrotëzat, zinxhirët, hekurat, flakën, tymin dhe e dëgjon zhaurimën dërrmuese të mekanizmit të madh të luftës që shkel e shkatërron. Ritmi i rëndë i veprës nuk del vetëm nga trajtimi i temës së luftës, por edhe nga elementet formale. Llojet e strofave të përdorura, sado që përdoren lirshëm, jo sipas skemave, janë në funksion të paraqitjes së gjendjeve, ngjarjeve, storieve të luftës. Distiku e tercina në poezitë e shkurtra shprehin me pak fjalë kulmimin e një storieje, ndërkaq strofat më të gjata, herë-herë edhe monokolona, përdoren për të hyrë më në hollësi, për t’i zgjeruar skenat, për t’u fokusuar, duke krijuar imazhe të vazhdueshme rrëqethëse. Edhe përdorimi i shenjave të pikësimit brenda një vargu, duke bërë fjali të shkurtra, sikur goditje buçitëse, pastaj thyerja e vargjeve, edhe fjalët kumbuese, figurat tingullore, që sjellin në mendjen e lexuesit krisma, britma, klithje, zhurmë, heshtje plot ankth, përdoren në funksion të krijimit të ritmit të rëndë të veprës.  

Madje edhe përdorimi i gjuhës është në funksion të ritmit të rëndë të veprës. Donika e përdor gegnishten e kultivuar, të pasur, shprehëse, të kuptueshme, por edhe gjuhën letrare. Është kombinim i shkallës minimale, bërë vetëdijshëm. Përdorimi i dialektit nuk është qëllim në vete për poeten, e cila e përdor po kaq suksesshëm edhe standardin, brenda të njëjtit libër.

Poetja e ka aftësinë që skenat, ngjarjet, storiet e rënda, të tmerrshme, të  lemerishme, t’i krijojë estetikisht bukur, çfarë është shumë e vështirë, pothuajse e pamundshme. Trajtimi poetik i luftës, kur e njeh luftën, kur e ke përjetuar luftën, kur ende nuk e dimë a e kemi tejkaluar traumën e saj, është ripërjetim, edhe për poeten, edhe për lexuesit.

Të futesh në pellgun e gjakut me mjete poetike, letrare, estetike, të dalësh, të rrëfesh, të shpëtosh, të bësh art, është madhështi shpirti. Donika e dëshmon madhështinë shpirtërore e mjeshtërinë letrare me “E gjithkohshmja Andërr”.  

ObserverKult

Lexo edhe:

1.GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
2. Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”
3. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
4. HAJRIZ SEJDIU: E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
5. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
6. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
7. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
8. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
9. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE

10.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
11.Drita Fejza: “E gjithkohshmja Andërr”, libër që ruan kujtesën historike dhe nderon viktimat e luftës!
12. Hajriz Sejdiu: Shtatë imazhet në përmbledhjen poetike të luftës “E Gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit
13. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
14. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
15. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
16. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!

17.Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës
18. Kemajl Aliu:ABSURDI I LUFTËS DHE PSIKO- DRAMA NJERËZORE
19. Vilson Culaj: “E gjithkohshmja Andërr”, saga e dramës kombëtare që flet përmes artit poetik
20. Halil Matoshi: Diskursi i emnimit të ligësisë simas estetikës së të shëmtuemes te Donika Dabishevci
21.Sadedin Mezuraj: Guernika poetike e Donika Dabishevcit

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” E DONIKA DABISHEVCIT VLERËSOHET SI LIBRI MË I MIRË ME POEZI NË PANAIRIN E LIBRIT NË PRISHTINË