Vilson Culaj: “E gjithkohshmja Andërr”, saga e dramës kombëtare që flet përmes artit poetik

vilson culaj donika


(Reflektim për librin poetik ,, E gjithkohshmja Andërr ‘’ e Donika Dabishevcit , LITERA, 2024, Prishtinë
)

Nga Vilson CULAJ

Kur lexon librin e Donika Dabishevcit befas të bie në mendje titulli i librit poetik të Phil Bosmans “Lulet e Fatit duhet t’i mbjellësh vet”, por në transendencën e fatit të një kombi hera-herës kopshti i jetës shndërrohet në ferr e plagë, që tundin edhe malet. M’u në agun e kësaj tragjedie e percepcioni shpirtëror zë fill edhe plani ideor i këtij libri, i cili si një palimset emocional, historik dhe tragjik i ofrohet lexuesit tonë i njëjtësuar pothuajse me të njëjtin fat tragjik shprese e mbijetese, e cila kishte prekur kufijtë e zgripit ekzistencial të fatit të individit dhe të një kombi.

Andrra e titullit të librit të Donikës gjenezën e ka në tragjikën e ekzodit, ku flaka e atdhedashurisë shndërrohet në art poetik, pikërisht atëherë kur përmasa e Holokaustit merr dimension tjetër – atë të bekimit e mos harresës kolektive, si një akt kompensimi, satisfaksioni e amaneti shpirtëror i autores që receptimet e asaj drame t’i rikthej në një baladë vertikale e artistike, si një lloj rikthimi i borxhit – për “paaftësinë” e të dalurit zot përmasës tragjike e zërit të thirrjes në kohëra kolerash.

Zanun në lak” e ka titulluar kapitullin e parë të këtij libri autorja Dabishevci, ku bari i jeshiltë i tragjikës shqiptare shndërrohet në qilim të Kopshit të Edenit, ku udha pa krye në mungesë të ligjit të arsyes ndjell kobin e vrasjes së kolektivitetit. “Rrugët shëmtohen prej boshit” dhe nënat rakeliane dyshojnë edhe në vet ekzistencën e përgjegjen e zërit të Zotit dhe shenjave të kohës e shpresës që i dikton vet Eskatologjia e tij dhe ligjet e mistershme.

Është metamorfoza poetike që komunikon me ekzistencën, e llojit imitim i jetës në këtë libër, ku buka shndërrohet në erë baroti, e teatri antik i tragjikës dialogon me frymën e ngulfatur se: ,, A do vdesim në mungesë të bukës apo nga plumbi ?!‘’. Kjo qasje transcendentale poetike e bënë unik këtë libër e idetë e autores Dabishevci e cila kumtin lirik e ngre në rrafshin tragjik dhe të mbijetesës. Zhytur në këto ulërima të vdekjes e funeralesh morbide qenia njerëzore transformohet në një Res apo Intrumentum Vocalis opo mish pa vlerë, ku kuzhinat e urrejtjes dhe forcave të errëta krijojnë pirgun e tragjikës e vrasjeve në masë, kurse fryma e shpirti njerëzor shndërrohet në sallatë eshtrash për vrastarët.

Kulmi i këtij vëllimi poetik arrihet me poezinë kronikë ( cit. i mi ) ,, E gjithkohshmja Andërr ‘’ ku ADN – ja e fati tragjik i një kombi komunikon e këlthet me palcën e shpirtit dhe andrra e lirisë ia ndalon andrrës individuale për ta jetësuar andrrën. Janë emocionet e thekshme, receptimi okular, mishërimi dhe empatia shpirtërore që komunikon e jep mesazh drithërues e vetëdijesues në tërësinë e librit, ku edhe themelet e shtëpisë kanë ftohtësi e dridhje nga granatat e flaka e ferrit, e drejtuar nga masa njerëzore e pambrojtur edhe nga vet instinkti i mbijetesës.

Donika në këtë libër ka vetëm një andërr ,, Të zgjohet nga andrra e agonisë ‘’ andërrmbytja dhe shpresëvdekja, sepse ikanakët e Babilonit e kameleonët modernë janë “të zanun në lak të kohës së nemun e të nënshtruem fatit”, ku ikja shoqërohet me vdekjen e vdekja me lirinë e andrrueme.
Fluturimi poetik në kohë andërr e gjakim lirik e poetik është mjeshtëri e rrallë artistike e poetes Dabishevci, e cila si një Ajkunë Arbërore ngre kumtin e vetësakrificës, ndjesisë individuale, me theks asaj kolektive, keqardhjes kur qenia njerëzore është e shndërruar në sakrificë dhe viktimë të pambrojtur nga luciferrët e kohës barbare.

Në intuiten krijuese të Donikës dominon një kontemplacion shpirtëror, etik e heroik, ku libri i jetës e përjetimeve flet e ligjëron me Unin, fatin tragjik, luhatjet njerëzore, krizën, instinktin e Thanatosit, Biofilinë, shpresën, dilemën, kultin e rrejshëm, arsyen njerëzore, plagët e fshehura, mbijetesën deri kur “zemra ndahet s’rrektuemi” , ku vargu poetik i Donikës katarzohet e metamorfozohet si në vargjet “e deka bahet kangë e kanga ngrihet në buzë si vaj”. Ky libër nuk është elegji e kohërave tragjike, por arti i përqafimit të jetës përmes vargut e shkronjës në kohëra, kur njeriu ndjehet si pjesë e përhumbur dhe i pavlerë përmbi këtë nënqiell.

Vargjet e Donikës hera -herës marrim përmasa tragjike që asnjë mendje njerëzore nuk mundet t’i paramendojë, ku forcat e errësirës nuk kursejnë as fëmijët në djep, po as vajzat e “paqtume si loti e të dëlira si qielli “, shprehet poetja. Ballafaqimi me këto situata të zgripit ekzistencial, autores Dabishevci ia kanë dizajnuar një hartë të memories, sa altruiste po aq lemeritëse, ku përmes shprehjeve poetike mundohet t’i shkarkojë pikëllimet e vrragët e saj të akumuluar gjatë kalvarit të luftës, andaj ndërdija e saj krijuese e ka një peng të vet, borxh moralist, për ta kundërshpërblyer atdheun e saj të plandosur, angazhimin e saj artistik, sepse të dhuruarit nga shpirti hera-herës ia tejkalon flakës së barotit dhe armës.

Arma kryengritëse e jetëgjatë e Donikës, pra, janë poezitë e saj, sepse testamenti i brezave kërkon edhe farën e saj të rikujtesës.
Reflektimi poetik i autores është i përtej emocionit të rëndomtë, sepse kur mishërimi bëhet akt sublim shprehës, autori ridimensionohet si pjesë e tërësisë ku kalorësia ideore merr përmasat e një kronike e balade vertikale të një fryme apokaliptike e mbijetese. Autorja ligjëron e dëshmon përmes vargut poetik për gjymtyrët e gjuajtura përtej përronit, koka të prera, nëna e etër të pa gojë, rrugë që shkojnë e nuk kthehen, fate tragjike të individëve dhe të një agonie të botës, e cila ka mbetur peng i gërqeve, sa i përket filantropisë. Tundim për autoren Dabishevci është indiferenca, bota kaotike dhe kartat e lirisë, të cilat nuk bashkëndjejnë kur një popull flijohet në heshtje në qiellin e hapur e pa sy të zemrës gjeopolitike.

Jo rrallë, në strukturën e vargjeve vërehet toni qortues, ku me mjete shprehëse poetike e vargut hera-herës metapsikologjik Donika i bënë edhe më sublime poezitë dhe mesazhet e saj.
Autorja jeton e mbijeton jashtë kulteve njerëzore dhe tragjikave, sepse kult të jetës e ka artin, kujtesën, empatinë dhe mjeshtrinë letrare.
Reminishenca si mjet shprehës poetik e karakterizon shpirtin e poetes e cila si detektore e perceptimeve të kohës e hapësirës reflekton për Gjamën Kosovare, Kalvarin e saj, lënien në mëshirë dhe malin e kujtesës e andrrës se trishtë, ku fëmija i shtyrë nga trauma personale e familjare sheh në andërr babën krejt lyer në gjak, pa mundur t’ia krijojë andrrën e shpresës, vetes. Këtë dramë e sublimon poezia ,, S’kish menu nanëzeza ‘’, ku poetja shprehet: “Si gjylpana n’shpirt deri n’ditë t’vorrit, gugatjet e tij t’fundme’’.
Reflektimet poetike si: “ Kështjellë e nemun asht nana”, “ Piktogram dhimte”, “ E vogla ” dhe “ Kur bjen nata ”, te këto poezi nga rrafshi personal e nacional marrin përmasa të dhembjes universale, ku poetizmi e humanizmi kalojnë ngurtësinë tonë të shpirtërave, andaj plagë mbi plagë na del edhe situatat dramatike si, në Bosnje, Gaza, Ukrainë etj. ku dualizmi i botërave sfidon edhe shiun hyjnor dhe duelin e ashpër në mes të mantelit të bardhë të nënës dhe shpirtit të saj, ku vet biri i saj shndërrohet në viktimë të luftës.

Metafora poetike apo cikli poetik i këtij libri “ N’luftë me korba” rrëmben mbiunin e poetes, ku ajo ngre kumtin se: “Mos me qenë t’paudhë ”, “ Mos me qenë udhëpremë “, sepse sipas konceptimit poetik autorja ka ardhur në përfundimin se, të vdekurit nuk kanë frikë nga vdekja por nga të gjallët, andaj për shpirtërat e burgosur në andrra dhe të kthyer në mitër të dheut ekziston një luftë e përhershme e përbindëshave me çikat flijetare që kurrë nuk u buzëqeshi fati.
Autorja edhepse e veshur me motivin e tragjedisë poetike e kolektive nuk harron t’i ligjërojë edhe të gjithmonshmes dashuri dhe pengut me shikim nga qielli, varreve të të dashurve, por edhe ngrënien e bijve të saj, mu nga toka që i lindi.

Cikli i fundit poetik në këtë libër “Dhimta t‘ngufatuna n’ofshamë t’pazashme “, janë një obelisk lirik e letrar, ku ndërdija ngadhënjimtare e shpirti i etur për mirësi reflekton natyrshëm poetikisht për Erosin, etninë, luftën e paqen, bekimet e mallkimet në kohë, por edhe ngadhënjimin individual e shpirtëror përmbi shekullin e errët e të pa shpresë. Metaforat e përdorura, pothuajse tek çdo poezi si: “ Puthja “, “Era e njeriut “, “Peizazh lufte“, “ I regjuni ah “, “ Çelësi”, “N’ karusel t’dekës “, “ A mun njeriu me lundrue në gjak “, “ Nanat e dëshmorëve“, “Gja s’ka ndërrue“, dhe, poezia e fundit “Gja s’ka ndrrue”, kodojnë dhe shpërndajnë njëherit shpirtin e saj të njohjes dhe vetënjohjes i rritur përmes sfidës, ballafaqimit dhe dashurisë.

Dashuria ka Kalvarin prapa, – thotë nënteksti i këtyre poezive, por edhe ngadhënjimin pa asnjë mjeshtër pranë. Donika këtë nivel poetik e jetësor e ka arritur sepse kurrë s’i ka besuar Hyjnive Mizantrop, po as Andrrës që të thërret në mashtim. Ajo i beson andrrës së përjetshme, mu asaj andrre të shpresës, lirisë dhe dashurisë së pambarim. Ky është gjakimi i saj poetik në këtë libër – ngadhënjimi i Erosit përmbi Thanatosin, jetës mbi vdekjen, lirisë ndaj robërisë, dhe shpresës së vrarë përmbi kultet pagane që në ne mbjellin nihilizëm e dekurajim…

Ky libër, në fakt, ngërthen në vete pezmin për veshët e shurdhër të lirisë dhe flakën e dashurisë ngadhënjimtare përmbi stuhi të fjetura.
Kjo robëri, pa pranga, Donikës ia ka krijuar profilin e saj prej poeteje unike, e liruar nga çdo prangë e kushtëzim njerëzor.
E kësaj fryme është edhe kjo andërr e pambarume e saj, siç është lufta, paqja, shpresa e dashuria që nuk mbaron kurrë.
Është pra ky libër që na shtynë të kujtojmë ëndrrën e lirisë, por edhe tharmin e tragjedisë jo të largët për ne.

Gjuha e ëmbël gegnisht komunikon natyrshëm me nënshtresimet e brezave dhe në harmoni me mesazhet e gjalla që na i ofron autorja Dabishevci. Donika përmes këtyre vargjeve bëhet egzegete e fjalës së gjallë dhe të një fryme të re e letrare si një detektuese e fenomeneve shoqërore e letrare, por edhe hipokrizive moderne që ende nuk kanë arritut t’ia kuptojnë tharmin lirisë. Në vargjet e saj ka vdekje, ka jetë, ka shpresë, ka realitet e tragjikë, por edhe kumt të jetës e optimizëm ripërtëritës. Në poezitë e saj mishërohet një Logos në veprim e shpirt i pavarur, por edhe kurora estetike, ku përjetimi shndërrohet në mishërim me ngjarjet e ngjarja në artikulim të mirëfilltë letrar.

Këto poezi që kanë trajta të ndryshme të ndërtimit, kanë bukurinë e tyre letrare, estetike, por edhe historike, dhe ky libër do tè jetë libër kronikë e sprovë artistike që do mbetët gjatë në kujtesën tonë si testament i një drame kolektive dhe mizorive barbare sllave.

Evropa duhet të na marr në gjirin e saj, qoftë edhe pa shpirt, dhe shpirtin e progresit të na mbjell në ne qoftë edhe pa vullnetin tonë, thuhet në mesazhet ndërkuantike të këtij libri, ku mes poezish dominon një filtër idesh përtej smogut të harresës dramës dhe nihilizmit.

Mesazhi, Vdis nga kujtesa, por jo nga ëndrrat tua letrare e të përjetimeve, është në fakt, dhe kryemesazhi poetik në këtë libër.
E gjithë kjo frymëzon mesazhin Vdis nga kujtesa, por jo nga ëndrra letrare. Kjo ëndërr që shikon përtej brendisë sonë e në kërkim të brendisë dhe përqafon të ardhmen si një realitet objektiv e shpirtëror.

Memoria letrare dhe shpirti altruist i Donikës kërkon njerëzit, por njerëzit nuk janë aty.
Ata gjenden në çdo varg e shkronjë të këtij libri poetik, herë si kujtesë e herë si personazhe të ringjallura në frymën e lirisë së një gruaje mendjendritur.

ObserverKult

lexo për këtë libër edhe:

1.GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
2. Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”
3. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
4. HAJRIZ SEJDIU: E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
5. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
6. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
7. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
8. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
9. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE

10.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
11.Drita Fejza: “E gjithkohshmja Andërr”, libër që ruan kujtesën historike dhe nderon viktimat e luftës!
12. Hajriz Sejdiu: Shtatë imazhet në përmbledhjen poetike të luftës “E Gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit
13. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
14. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
15. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
16. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!

17.Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës
18. Kemajl Aliu:ABSURDI I LUFTËS DHE PSIKO- DRAMA NJERËZORE
19. Vilson Culaj: “E gjithkohshmja Andërr”, saga e dramës kombëtare që flet përmes artit poetik
20. Halil Matoshi: Diskursi i emnimit të ligësisë simas estetikës së të shëmtuemes te Donika Dabishevci
21.Sadedin Mezuraj: Guernika poetike e Donika Dabishevcit

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” E DONIKA DABISHEVCIT VLERËSOHET SI LIBRI MË I MIRË ME POEZI NË PANAIRIN E LIBRIT NË PRISHTINË