Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës

lindita komani e gjithkohshmja anderr

Nga Lindita Komani

“E gjithkohshmja Andërr” nga Donika Dabishevci është çlirimi më i bukur poetik i dhimbjes pas traumës që ende pas dy dekada e gjysmë vijon të lërë gjurmë në ndërgjegjen e kujtesën e secilit bashkëkohës të saj, një libër tronditës dhe shumë i kthjellët kujtese për krejt dhimbjen e luftës në Kosovë, një vaj pa mbarim. Kështu e lexova dhe e perceptova unë atë.

Pesha e lëndës poetike mund të ndihet qysh në titullin që zbërthehet me leximin e poezisë me të njëjtin titull:

E pashkatërrueshme, e pavdekshme,
e gjithkohshme asht Andrra
me dalë gjallë prej lufte
bashkë me krejt t’dashunit e tu!

Ky është lajtmotivi i librit. Njeriu i goditur nga lufta është në qendër të tij, njeriu i thjeshtë, ai mbi të cilin lufta bie si një gjëmë që i transformon jetën ose mund t’ia marrë atë për fare. Vetëm e me njerëzit e dashur pranë, njeriu është në përpjekje për të dalë gjallë prej luftës.
Vaji është i bebave dhe nënave të tyre që mendohen:
…..
qysh me ua mshelë gojën – pa ua zanë…
pa ua ndalë frymën, pa i molepsë?
Shhhhhhhhhh…
Qysh me i ba,
qysh me i ba, bre…
fmijte diqysh t’padukshëm
qysh me i ba?


Vaji është i të rinjve që humbën jetën në lule të rinisë e të moshuarve që shkulen nga vatra, i të dashuruarve që vdesin në krahë të njëri-tjetrit, i burrave që shkojnë drejt pushkatimit e për të cilët autorja shkruan:

Nji e shtanë pa ja huqë n’shej për secilin,
e secili pa i huqë hapat,
brof e n’guvë t’vorrit t’hapun me duer t’veta.
Çfarë koreografie!
Çfarë hedhje elegante drejt tokës s’bekueme,
Çfarë hopi me u kthye n’mitër t’dheut,
e me e ba gjumin e fundit n’At-Dhè!


Pa e ditur që autorja Dabishevci është nga Kosova, do ta mendoje që ky libër është i shkruar për çdo luftë, edhe për të tjerat luftëra që janë zhvilluar apo po e do të zhvillohen. Për këtë mendoj që ajo meriton një përgëzim të veçantë, sepse ka arritur ta universalizojë e ta bëjë të lexueshme një përvojë sakatuese për shpirtin si kjo e luftës për një publik që uroj që ta ketë më shumë se vetëm shqiptar.

Këtë shënim të shkurtër me të cilin thjesht dëshiroj që të nxis edhe njerëz të tjerë të kërkojnë ta gjejnë e ta lexojnë, po e shoqëroj me tekstin e plotë të poezisë që më bëri më shumë përshtypje se gjithë të tjerat për temën specifike që trajton e për të cilën përfytyrimin deri kur e lexova nuk ma kishte dhënë asnjë film apo lexim tjetër për luftën:

Era e njeriut

Deri s’na përplasi lufta
katuneve t’shmangta
t’djeguna
t’rrafshueme –
e t’kthyeme n’kasaphan’
se kishim pas ditë
qysh kundërmon kurmi,
çfarë ere mun’ i vjen të vrarit,
të masakruemit,
t’premunit n’thela
t’përzhitunit n’prush
t’pjekunit n’hell!

ObserverKult

Lexo edhe:

1.GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
2. Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”
3. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
4. HAJRIZ SEJDIU: E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
5. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
6. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
7. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
8. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
9. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE

10.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
11.Drita Fejza: “E gjithkohshmja Andërr”, libër që ruan kujtesën historike dhe nderon viktimat e luftës!
12. Hajriz Sejdiu: Shtatë imazhet në përmbledhjen poetike të luftës “E Gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit
13. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
14. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
15. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
16. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!

17.Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës
18. Kemajl Aliu:ABSURDI I LUFTËS DHE PSIKO- DRAMA NJERËZORE
19. Vilson Culaj: “E gjithkohshmja Andërr”, saga e dramës kombëtare që flet përmes artit poetik
20. Halil Matoshi: Diskursi i emnimit të ligësisë simas estetikës së të shëmtuemes te Donika Dabishevci
21.Sadedin Mezuraj: Guernika poetike e Donika Dabishevcit

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” E DONIKA DABISHEVCIT VLERËSOHET SI LIBRI MË I MIRË ME POEZI NË PANAIRIN E LIBRIT NË PRISHTINË