Një libër që fitoi çmimin e Panairit të Librit në Prishtinë 2024, si libri më i mirë me poezi, sigurisht që meriton vëmendjen tonë. “E gjithkohshmja Andërr” nga Donika Dabishevci, libër që unë e kam me nënshkrimin autorial të saj, është një shembull i fuqishëm i një vepre poetike që shtron pyetje të thella dhe reflekton mbi historinë dhe vuajtjet e popullit shqiptar.
Nga Drita Fejza
Për të përshkruar tmerret e luftës artistikisht, duhen durimi, guximi, shprehje e pasur dhe fjalor që prek secilin lexues. Libri poetik “E gjithkohshmja Andërr” i ka këto. Duke e lexuar, shohim se si shfaqet si një film që shkon në thellësi të dhimbjes shqiptare shpalosja e luftës së fundit në Kosovë. Në vargjet e Donika Dabishevcit, përshkruhet me mjeshtëri një botë ku e kaluara dhe e tashmja ndërthuren në një mozaik emocionesh dhe përjetimesh të forta.
Autorja me një stil të ngjeshur dhe metaforik rikrijon atmosferën e errët të atyre viteve të trazuara duke ngjallur përpara syve të lexuesit skena të gjalla dhe të prekshme të vuajtjes dhe rezistencës. Çdo varg është një dëshmi e qëndrueshmërisë së shpirtit njerëzor përballë dhunës dhe absurditetit, duke ngulitur në kujtesën e lexuesit një ndjenjë të thellë solidariteti dhe shpresë. Ky libër shërben si një pasqyrë e fuqishme e historisë dhe identitetit shqiptar, duke e ngritur në një nivel universal të kuptimit njerëzor.
Për të përshkruar një skenë rrëqethëse, kërkohet një ndjeshmëri e veçantë dhe aftësi nga ana e poetit. Rrëfyesi, qoftë edhe viktimë, do të tregonte historinë me mënyrën e tij ose të saj, duke reflektuar dhimbjen dhe tronditjen personale. Pra, poetët, kur trajtojnë një temë të rëndë gjenocidiale në mënyrë poetike përballen me sfida të mëdha. Ata duhet të ruajnë autenticitetin e përvojës së vuajtjes, duke e transformuar atë në art që flet përtej fjalëve. Ky proces kërkon një bashkim të thellë me dhimbjen, për ta kuptuar dhe për ta ndjerë plotësisht, ashtu siç ka bërë Donika Dabishevci në “E gjithkohshmja Andërr”.
Në poezitë “Granatimi”, “Shpija”, “Simfoni zorrësh”, ndihet e gjithë tronditja e një populli që papritmas e gjen veten në mes të një katastrofe, ku e përditshmja ndërpritet brutalisht dhe shpresat e një të ardhmeje të qetë mbeten pezull në një realitet të ashpër dhe të pamëshirshëm
Donika, përmes veprës së saj poetike, arrin tu jap jetë edhe momenteve më të zymta dhe të dhunshme të vuajtjeve të popullit shqiptar. Ajo e ka ndjerë thellësisht dhimbjen dhe e ka kthyer atë në art, duke krijuar një dëshmi të përjetshme të luftës dhe vuajtjes së popullit të saj në një gjuhë poetike. Ky lloj arti nuk është një përshkrim i thjeshtë, por një dokument historik emocional që do të flasë për breza të tërë, duke ruajtur dhimbjen dhe dëshminë në formën më të pastër të saj.
Poezia e saj është një akt rezistence kundër harresës dhe një thirrje për kujdes dhe vigjilencë ndaj padrejtësive dhe vuajtjeve që mund të na presin në të ardhmen.
Në poezinë “Matrapaztë”, Dabishevci përdor një ironi të thellë për të përshkruar poetikisht figurat e përfituesve të luftës, ata që në mes të kaosit dhe rrënimit ndërtojnë fatin e tyre mbi vuajtjen e të tjerëve, hipokrit në zemër të tragjedisë. Ndërsa në “Deka…”, brutaliteti i luftës përshkruhet me një saktësi të pamëshirshme, vargjet e saj janë të mbushura me një intensitet që trondit shpirtin. Këto poezi nuk janë thjesht përshkrime të ngjarjeve, ato bartin një peshë të rëndë emocionale, ku dhimbja dhe vuajtja e popullit të saj marrin formë konkrete, gdhenden në ndërgjegje. Në secilin varg ndjehet e përditshmja e thyer, realiteti i përmbysur, dhe në mes të gjithë kësaj, një ndjeshmëri që kërkon të kapë esencën e humbjes dhe të mjerimit njerëzor.
Libri i Donikës “E gjithkohshmja Andërr” përbën një sfidë veçanërisht për lexuesit që kanë përjetuar luftën, pasi rifreskon në kujtesë ngjarjet e përjetuara. Kjo përvojë mund të jetë e vështirë dhe kërkon nerva të forta për t’u përballur me temat e rënda dhe emocionet që shkaktojnë. Pra, “E gjithkohshmja Andërr” duhet të lexohet me respekt dhe ndjeshmëri për shpirtin dhe mendjen e autorit, si dhe për përplasjen emocionale që mund të ketë tek lexuesi.
Katër ciklet e poezive në librin “E gjithkohshmja Andërr” të Donikës shfaqin një histori të thellë të jetës dhe vdekjes. Në këto poezi, trajtimi i temave të rënda si vuajtja dhe humbja nuk ekzagjerohet, por as nuk humbet fytyra tragjike që shoqëron viktimën. Donika arrin të transmetojë këto emocione me një ndjenjë të thellë të humanitetit dhe një shpresë qëndruese, që reflektohet në rezistencën dhe zbulimin e vlerave të thella, edhe përkundër tragjedisë.
Poezitë e saj shfaqin një lloj vërtetësimi të shpirtit njerëzor, duke përjetuar ngjarje dhe emocione të thella nëpërmjet një gjuhe poetike dhe një stil që i bën ato të përshtatshme për lexuesit që kërkojnë të kuptojnë shpirtin e njeriut dhe peshën e përjetimeve të rënda të tij.
Libri përfshin poezi që reflektojnë përvojat dhe dëshmitë e një lufte të fundshekullit 20-të dhe jo vetëm, duke i kthyer ato në një formë të përhershme të mos-harrimit.
Çdo poezi në këtë libër mund të shihet si një relikt që duhet të trajtohet me respekt dhe të ruhet me kujdes, pasi ato shfaqin historinë dhe emocionet e një periudhe të rëndësishme të jetës njerëzore në mënyrë shpirtërore dhe artistike.
Në poezitë “Ngryk’” dhe “Tuj ikë dekës”, Dabishevci nuk e zbukuron realitetin. Përkundrazi, ajo tregon dëshirën e dëshpëruar të njerëzve për t’i shpëtuar vdekjes dhe pasigurinë e tyre brutale në përpjekje për të mbijetuar. Gjendja e refugjatëve është e rëndë, një makth i përditshëm ku minat dhe granatat janë një kërcënim i përhershëm. Në këto poezi nuk ka sentiment të kotë. Atopërshkruajnë një botë ku frika dhe dhimbja janë të vetmet realitete të prekshme, dhe ku shpresa është një luks që pak mund ta përballojnë.
Dabishevci i sjell këto momente të vështira me një stil të drejtpërdrejtë dhe të pamëshirshëm, duke na detyruar të shohim atë që shumë prej nesh do të preferonim t’i anashkalonim.
Te poezitë “Rrethuem katëran’sh” dhe “T’shtana batare”, Dabishevci përshkruan me një ndjesi të thellë tmerret dhe vuajtjet, masakrat dhe tragjedinë e popullatës civile nën trysninë e luftës. Me një gjuhë të fortë dhe simbolike, ajo shpërfaqë përmes vargjesh hijen e vdekjes dhe shkatërrimit, duke e krijuar përmes artit një dëshmi të forcës së përballimit të popullit të saj me fatkeqësitë e tmerrshme të historisë.
Nëpërmjet poezisë së saj, Donika i përjetëson dëshmitë e luftrave dhe vuajtjet në një formë që nuk mund të harrohet, duke u dhënë atyre një thellësi dhe një dimension që e bën lexuesin të reflektojë dhe të ndihet brenda ngjarjeve historike. Kështu, secila poezi në librin e saj paraqet një pasqyrë të thellë të periudhës së luftrave dhe jetës njerëzore brenda tyre dhe kjo e bën këtë libër të jetë një testament i rëndësishëm për të kuptuar dhe për t’u përkujdesur për kujtimin e atyre që kanë vuajtur.
Poezitë e saj janë më shumë se thjesht fjalë; ato janë dëshmi të fuqishme që zgjojnë ndjenja të thella dhe nxisin mendime të rëndësishme tek lexuesit. Përmes artit të saj, Donika kontribuon në ruajtjen e kujtesës historike dhe në nderimin e atyre që nuk janë më, e po ashtu edhe reflektimin ndaj të kaluarës.
ObserverKult
Lexo recensione te tjera për këtë libër:
1.GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
2. Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”
3. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
4. HAJRIZ SEJDIU: E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
5. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
6. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
7. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
8. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
9. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE
10.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
11.Drita Fejza: “E gjithkohshmja Andërr”, libër që ruan kujtesën historike dhe nderon viktimat e luftës!
12. Hajriz Sejdiu: Shtatë imazhet në përmbledhjen poetike të luftës “E Gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit
13. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
14. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
15. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
16. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!
17.Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës
18. Kemajl Aliu:ABSURDI I LUFTËS DHE PSIKO- DRAMA NJERËZORE
19. Vilson Culaj: “E gjithkohshmja Andërr”, saga e dramës kombëtare që flet përmes artit poetik
20. Halil Matoshi: Diskursi i emnimit të ligësisë simas estetikës së të shëmtuemes te Donika Dabishevci
21.Sadedin Mezuraj: Guernika poetike e Donika Dabishevcit