Para një publiku të zgjedhur, shkrimtarë, poetë, artistë, profesorë e dashamirës të letërsisë, dje në ambientet e Institutit Albanologjik u përurua libri më i ri me poezi i poetes, Donika Dabishevci, “E gjithkohshmja Andërr”, botuar nga Shtëpia Botuese Littera.
Përurimin e hapi poetja Alketa Gashi Fazliu e cila theksoi se libri është botuar para përafërsisht një muaji, duke vlerësuar hapësirën që i është lënë lexuesit, të lexoj, meditoj e reflektoj për librin në heshtje, i pandikuar nga promovimet e kritika.
“Donika vjen me këtë libër duke na befasuar të gjithë ne. Prej tematikës së dashurisë, prej lirikave përplot eros që na ngrisin peshë, e që janë pritur aq mirë nga lexuesit, kalon në një tematikë krejtësisht tjetër, te lufta”, ka theksuar Gashi Fazliu, duke ftuar në skenë aktoren Xhejlane Tërbunja e cila së bashku edhe me aktorin tjetër Fisnik Istrefi që u paraqit më vonë, lexuan cikle nga libri “E gjithkohshmja Andërr”, shoqëruar në tingujt muzikor të artistit Astrit Stafai, për ta sjell atmosferën e librit i cili nuk i la indiferent të pranishmit.
Studiuesit dhe shkrimtarët Gëzim Aliu dhe Agron Gashi paraqitën vështrime profesionale dhe interpretime studimore për librin.
“Donika Dabishevci është poete e vargjeve të dashurisë, të ndjenjave, të ndjesive, të përjetimeve, të dëshirimeve, por në thellësi të poezive të saj pulson edhe një energji që i avitet vdekjes, dhembjes, vuajtjes, fundit, nganjëherë edhe tmerrit. Derisa në librin ‘Kam me ardhë si deka’, temë qendrore është dashuria dhe fazat e zhvillimit të saj, në librin “E gjithkohshmja Andërr” është lufta, më saktë, njeriu në luftë, njeriu i thjeshtë në luftë. Lufta në këtë libër është përbindësh që shkatërron, thërrmon, përgjak, çrregullon, ndryshon gjithçka për njerëzit që thjesht duan ta jetojnë jetën e tyre, në vendin e tyre, në tokën e tyre, në shtëpitë e tyre”, tha mes tjerash studiuesi Gëzim Aliu, duke shtuar se “Donika e ka aftësinë që skenat, ngjarjet, storiet e rënda, të tmerrshme, të lemerishme, t’i krijojë estetikisht bukur, çfarë është shumë e vështirë, pothuajse e pamundshme. Trajtimi poetik i luftës, kur e njeh luftën, kur e ke përjetuar luftën, kur ende nuk e dimë a e kemi tejkaluar traumën e saj, është ripërjetim, edhe për poeten, edhe për lexuesit.
Të futesh në pellgun e gjakut me mjete poetike, letrare, estetike, të dalësh, të rrëfesh, të shpëtosh, të bësh art, është madhështi shpirti. Donika e dëshmon madhështinë shpirtërore e mjeshtërinë letrare me “E gjithkohshmja Andërr”. “
Studiuesi Agron Gashi tha se “E gjithkohshmja andërr” është libër poetik polifonik, jeh i zërave të luftës. Libri është kthy në za të atyre që s’patën frymë për të dëshmu, të atyre që s’patën za për të thanë fjalën, lutjen, përshpirtjen e fundit.
“E gjithkohshmja andërr nuk është vetëm një ars memorativa, as vetëm një vepër artistike, është më shumë se aq, një vepër morale, një diademë mortale, një libër i shkruar për bukuri për luftën e dhimbshëm për njerëzinë.
Gashi ka theksuar se është dashur kohë, është dashur pritje e durim, gjakftohtësi, mendje të akullt e kujtesë të fortë, që më në fund poezia për luftën të ndërrojë skemën, të dal nga uniformiteti, të zhveshet nga himnizimi, edhe pse përpjekjet dhe qëndresa ishin mbinjerëzore, pjesa tjetër duhet të shtrohet ashtu siç ishte e tmerrshme, e padrejtë dhe e pabarabartë. Kësisoji, ka theksuar Gashi, Donika nuk është subjekti që vajton, janë protagonistët e saj realë. Ajo hyn nën lëkurën e tyre e bëhet një me ta, ndien e flet prej pozicionit të tyre…
“Dabishevci njeh thymjet e ngritjet e luftës, njeh triumfin e rezistencës, por edhe tehun e ekzistencës…”, ka theksuar Gashi.
Në fund autorja e librit, Donika Dabishevci pasi ka falenderuar të pranishmit ka theksuar se nuk ka qenë punë e lehtë, përkundër dëshirës, vullnetit e pasionit, që tmerrin e luftës dhe gjithçka që ajo thërrmon e përbinë në ingranazhet e saja me e nyjëtu poetikisht, t’parënduem emocionalisht e t’realizuem artistikisht.
“Por, mua si autor nuk më takon që të flas për atë se si është realizuar e gjithë kjo në këtë libër. Që në momentin kur libri del nga shtypi, dihet se nuk i përket më autorit. Ai është tashmë i lexuesit dhe lexuesit i takon dhe realisht i përket libri. Edhe mveshja e kuptimësimi i tij përmes interpretimeve vetanake, apo thjesht edhe veç shijimit”, ka thënë Dabishevci, e cila e ka përfunduar fjalën e saj me leximin e poezisë së fundit të librit, titulluar “Gja s’ka ndërrue”.
Donika Dabishevci (1980) u lind në Prishtinë. Ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku ka përfunduar edhe masterin për të vazhduar tutje në Universitetin e Tiranës, ku në vitin 2013 doktoron po në letërsi.
Ka botuar librat:
“Krizantema të plasura”, proza poetike, Prishtinë, 1996,
“Imazhe të brishta”, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2004,
“Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari”, studim monografik, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015,
“Kam me ardhë si deka”, poezi, OM, Prishtinë, 2015,
“Dashnisë së nji nate”, poezi, Bard Books, Prishtinë, 2020.
“E gjithkohshmja Andër”, poezi, Littera, Prishtinë, 2024
Të përkthyer:
“La tua robinja” Essemble, Romë, 2017;
“Ke stasam kako smrtta”, Rezna, Shkup, 2023
“Mi venos kvazaŭ la morto”, Kava Pech, Çeki, 2023
ObserverKult
Lexo edhe:
1.GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
2. Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”
3. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
4. HAJRIZ SEJDIU: E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
5. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
6. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
7. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
8. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
9. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE
10.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
11.Drita Fejza: “E gjithkohshmja Andërr”, libër që ruan kujtesën historike dhe nderon viktimat e luftës!
12. Hajriz Sejdiu: Shtatë imazhet në përmbledhjen poetike të luftës “E Gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit
13. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
14. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
15. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
16. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!
17.Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës
18. Kemajl Aliu:ABSURDI I LUFTËS DHE PSIKO- DRAMA NJERËZORE
19. Vilson Culaj: “E gjithkohshmja Andërr”, saga e dramës kombëtare që flet përmes artit poetik
20. Halil Matoshi: Diskursi i emnimit të ligësisë simas estetikës së të shëmtuemes te Donika Dabishevci