Timo Mërkuri: Ikja si triumf i jetës në poezinë “Tuj ikë dekës” e Donika Dabishevcit

Timo Mërkuri E gjithkohshmja Andërr

(Rreth poezisë “Tuj ikë dekës” të poetes Donika Dabishevcit, botuar brenda kopertinave të librit “E gjithkohshmja Andërr”, Littera, Prishtinë, 2024)

Qysh në leximin e parë e ndjen se poezia “Tuj ikë dekës” e Donika Dabishevcit është një poezi moderne me kuptimshmëri të drejtpërdrejtë, por kjo, jo për shkak të dialektit dhe melodicitetit të saj se sa për aspektin tematik, ideor dhe stilistik, të cilat bëjnë që ajo duket si një degë lisi epik që është zgjatur në kohën tonë. Për këtë arsye mendojmë ta nisim analizën tonë te kjo qasje.

NGA TIMO MËRKURI

I-

Së pari, poezia është shkruar në gegnisht. Përdorimi i këtij dialektit dhe leksiku në poezinë “Tuj ike dekës” ndikon në qasjen tonë për të kuptuar lidhjen me Epikën e kreshnikëve, madje ky element gjuhësor krijon një ndjesi të fortë të lidhjes së kësaj poezie me traditën dhe trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar.
Dialekti gegë është një nga dy dialektet kryesore të përdorura edhe në literaturën dhe kulturën shqiptare, kryesisht në zonat veriore të Shqipërisë dhe Kosovë, ndaj përdorimi i tij në poezinë “Tuj ike dekës” mund të lidhet me traditën e Epikës kreshnike në këtë zonë. Rrëfimet dhe legjendat janë krijuar shpesh në dialektet lokale, duke e bërë kështu tekstin poetik më të afërt me popullin dhe kulturën nga e cila rrëfen, ndaj mendojmë se dhe përdorimi i këtij dialektit në poezinë “Tuj ike dekës” të sjell këtë ndjenjë vazhdimësie me epikën dhe lidhjeje me kohën e trashëgimisë kulturore të Epikës kreshnike. Për më tepër, përdorimi i leksikut gegë ka sjellë në poezi detaje të veçanta dhe ngjyra sa lokale, aq dhe historike që forcojnë autenticitetin dhe i japin poezisë një ndjenjë.

Së dyti: fakti që “Epi i Kreshnikëve” është shkruar në gegnisht dhe ngjarjet e tij zhvillohen (shumica) në territorin e sotëm të Kosovës është një argument i rëndësishëm për të vlerësuar lidhjen e poezisë “Tuj ike dekës” me këtë traditë epike në këto elemente:

– Përdorimi i gegnishtes në poezinë “Tuj ike dekës” të krijon një ndjesi të veçantë lidhur me traditën dhe gjuhën e “Eposit të Kreshnikëve” sepse duke ndarë një dialekt të përbashkët, poezia dhe epi kanë vetëdije të përbashkët gjuhësore, që ndihmon në interpretimin dhe kuptimin e tyre në kontekstin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Duhet të pohojmë se dialekti gegë është një pasuri e madhe kombëtare dhe ka dhënë historikisht një ndikim të paçmueshëm lëvrimit dhe pasurimit të gjuhës shqipe, duke qënë akoma një degë prurjeshumë e lumit të gjuhës sonë. Më thellë: dialekti gegë është një krenari kombëtare e lashtësisë së gjuhës dhe kulturës sonë, është një dëshmi e hershmërisë së etnitetit dhe unitetit tonë kombëtar.
Në aspektin e njohjes së historisë së gjuhës shqipe ky dialekt është “rezervati” kryesor i dijeve.
Kështu, pasazhet: “Prej bodrumi n’bodrum, prej katundi n’katund,/prej shtegu n’shteg, qafmalesh, rranxash, /pjerrinash, rrëpinash t’thyeshme. Sa k’tu sa aty.”,”Andërrmbytun./ Shpresëvde-kun.”,”Strajcat n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun,/ t’plagosunit n’lese t’sajueme./ T’lodhun e tangall./ T’uritun, te tanë./Dergjun për nji pikë ujë.” përshkruajnë thellësinë e vuajtjes dhe ankthit në kontekstin e një realiteti terrori, ku përdorimi i fjalëve dhe imazheve të ngjashme me ato të “Eposit të Kreshnikëve” krijojnë një lidhje me traditën dhe kulturën shqiptare, duke e thelluar kuptimshmërinë e poezisë dhe të historisë së njëjëshme në epoka të ndryshme.

– Për shkak të lokalizimit të ngjarjeve të epit në territorin e sotëm të Kosovës, përdorimi i dialektit gegë në poezinë “Tuj ikë dekës” krijon një lidhje të fortë me kulturën dhe historinë e këtij territori dhe zgjon në ndërgjegjen e lexuesit kujtime ngjarjesh e vendesh legjendash epike, frymëzuese për aktualitetin e poezisë. Në traditën shqiptare është e natyrshme që në luftra të ndryshme sillen në kujtesë heronjtë epik dhe vendet ku kanë kryer heroizmat. Kështu p.sh pasazhi që përmendëm më sipër shpalos imazhe të landscape-it kosovar, duke e lidhur poezinë ngusht me territorin dhe kulturën e Kosovës. Kuptimi i shprehjes së “landscape-it Kosovar” është qëndrimi ose përjetimi ndaj pamjes natyrore dhe mjedisit gjeografik të Kosovës, ku ky përjetim mund të jetë emocional, estetik, apo edhe historik në disa raste, duke reflektuar lidhjen dhe ndjenjën e poetes ndaj peizazhit dhe trashëgimisë natyrore të këtij territori.
Në poezinë e Donika Dabishevci, shprehja e landscape-it kosovar nënvizon lidhjen e poezisë me kulturën dhe historinë e Kosovës.

  • Përdorimi i dialektit geg në poezinë e Dabishevcit shpreh përkujdesje dhe respekt të veçantë për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar, duke e lidhur atë me një nga epokat më të rëndësishme të kulturës dhe letërsisë së tij. Psh, te vargjet: “Strajcat n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun,/t’plagosunit n’lese t’sajueme/ T’lodhun e tangall./T’uritun, te tanë./Dergjun për nji pikë ujë”, shprehet një lidhje e ngushtë me traditën dhe kulturën shqiptare, duke e bërë poezinë të reflektojë një nga epokat më të rëndësishme të letërsisë së saj, atë epike. Përmes dialektit gegë, poezia e Dabishevcit sjell përpara lexuesin pamje autentike të eposit. Ndaj themi se, përdorimi i këtij dialekti shpreh përkujdesje të veçantë për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar dhe e lidh poezinë me një prej kohërave më të rëndësishme të historisë dhe letërsisë së saj.

    -Duke përdorur dialektin geg në poezinë “Tuj ikë dekës”, lexuesit i jepet një theks i veçantë lidhur me kontekstin historik dhe kulturor të Kosovës (dhe zonës së Shqipërisë veriore). Duke qenë se “Epi i Kreshnikëve” shprehet për ngjarje dhe personazhe që rrëfehen në këto treva, përdorimi i gegnishtes te poezia e Dabishevcit rrit ndjenjën e përputhshmërisë me trashëgiminë kulturore të kësaj zone.
    – Shqipëria veriore dhe Kosova janë pjesë e rëndësishme e identitetit kombëtar shqiptar, ndaj përdorimi i dialektit gegë në poezinë “Tuj ikë dekës” e cila lexohet dhe në trevat jugore ndihmon në forcimin e kësaj lidhjeje identitare dhe në rritjen e kujdesit për trashëgiminë kulturore, duke ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e kulturës e dialektit gegë, duke e bërë atë të ndjehet e rëndësishme për të gjithë shqiptarët.
    -Dhe së fundi, përdorimi i dialektit gegë krijon një lidhje të ngushtë emocionale me lexuesin, veçanërisht ata që janë të njohur me këtë dialekt, pavarësisht se mund të jenë lexues që u përkasin trevave toske. Kjo ndjesi e afërisë mund të ndihmojë në forcimin e ndjenjës së përgjegjësisë për trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit dhe kulturës shqiptare.
    Psh., pasazhet: “Janë shumë. T’panumërueshëm janë./Gjithkah. Gjithkund fmijë, gra e pleq/ n’karvan t’pakthimit. Humbtinave/ kurrë t’njohuna tamam.”,”Arnat s’ua mlojnë brinjtë. As kockat/ Ftyrëzbardhemt. Syzgavruem/ Buzëshkrumbuem. Rrashtëkrisun / T’mavijosun” dhe “Dielli i përvlon e hana i ngrin./S’dihet ku ju errë nata e ku ju çelë dita./Për ku ja kanë mësy e ku kanë me mbërri”, forcojnë lidhjen emocionale të lexuesit me poezinë, veçanërisht te ata lexues që janë të njohur me këtë dialekt.
    Edhe pse lexuesit mund të jenë nga zona toske, ndjesia e afërisë që krijohet nga përdorimi i gegnishtes mund të ndihmojë në forcimin e ndjenjës së përgjegjësisë për trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit dhe të kulturës shqiptare. Kjo afërsi emocionale bën që lexuesit të ndihen të lidhur me identitetin e shprehur në poezi, duke i shtuar vëmendje përshkrimit të trashëgimisë së tyre kulturore dhe historike.

    Pra, jo më kot poetja Donika Dabishevci, njohëse dhe zotëruese e shkëlqyer e gjuhës shqipe standarte përdor në këtë poezi me interes mbarëshqiptar dialektin gegë, që shërben për të tërhequr vëmëndjen e lexuesve të të gjitha trevave, për të thelluar lidhjen me traditën dhe trashëgiminë kulturore të Epikës kreshnike, për të forcuar identitetin kombëtar dhe emocional të lexuesve, duke ngjallur një ndjenjë të përbashkët për trashëgiminë kulturore dhe historike që forcon përvojën e leximit dhe kuptimin e poezisë në kontekstin e saj më të gjerë.

II-

 Edhe pse poezia “Tuj ikë dekës” e Donika Dabishevcit është e shkruar në një kontekst modern, ajo mbart një shumësi elementesh tradicionale që shfaqen si truall e sfond tradicionaliteti aty.
Disa elemente tradicionale përdorur në poezinë moderne të Dabishevcit shfaqen në:

-Edhe pse poezia është shkruar në një kontekst modern, ajo mund të përdorë motive dhe simbole të lashta që janë të njohura për kulturën dhe historinë e një vendi. Për shembull, përdorimi i diellit si një simbol i dritës dhe shpresës është një motiv i lashtë që shpesh përshkruhet në artet gojore epike. Psh.,”Dielli i përvlon e hana i ngrin” ku, dielli përfaqëson një simbol tradicional të dritës dhe shpresës, duke i dhënë poezisë një lidhje me motive të njohura në letërsinë epike.

-Edhe pse përmbajtja e poezisë është moderne, ajo përdor stil dhe formë që kanë rënjë në traditën letrare të popullit tonë. Në këtë poezi ka elementë të rregullt strukturore dhe stilistike që përputhen me traditën poetike. Psh., “Janë shumë. T’panumërueshëm janë.”, vargje që sugjerojnë ndjenjë të skajshmërisë së dhimbjes e vuajtjes, masën e gjerë njerëzore që i përjeton ato, duke i dhënë poezisë një lidhje me historinë jo vetëm të epikës sonë por dhe të përvojës së njerëzimit, p.sh ikja e hebrenjve nga Egjypti, të ndjekur nga ushtria e faraonit.

-Përdorimi i gjuhës dhe dialektit gegë në poezi sjell një ndjesi të tradicionalitetit dhe të lidhjes me kulturën dhe identitetin e një populli. Duke përdorur dialektin gegë në poezinë “Tuj ikë dekës”, autorja identifikon lidhjen me traditën gjuhësore dhe kulturën epike shqiptare. Psh., vargjet në dialektin gegë: “Strajcat n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun / t’plagosunit n’lese t’sajueme.”, sjellin një lidhje të ngushtë me traditën gjuhësore dhe kulturën e zonës së Shqipërisë veriore dhe Kosovës.

-Në poezinë moderne, tema e përballjes me fatin dhe vuajtjet e njerëzve është një element i rëndësishëm që përputhet me traditën e rrëfimeve epiko-lirike. Te poezia e Dabishevcit kjo temë është e pranishme dhe sjell lidhje me motivet tradicionale të rrëfimeve epike. P.sh te vargjet: “Andërrmbytun./ Shpresëvdekun” përdorim i fjalëve të përbëra shpreh një temë të përbashkët kohore, të përballjes njerëzore me fatin, tema që janë motive të pranishme në letërsinë tradicionale.

-Edhe pse poezia është e shkruar në një kontekst modern, ajo mund të eksplorojë motive dhe temat e përbashkëta njerëzore që kanë qenë të pranishme në letërsinë tradicionale. Këto motive e tema, siç janë dashuria, humbja, shpresa, dhe vuajtjet e jetës, janë përdorur në kontekstin modern, duke i dhënë poezisë një dimension të lidhur me traditën letrare.
Psh: “Janë shumë. T’panumërueshëm janë/ Gjithkah. Gjithkund fmijë, gra e pleq/n’karvan t’pakthimit. Humbtinave/ kurrë t’njohuna tamam” , poetja përshkruan një realitet ku njerëzit përballen me vështirësi të shumta e përndjekje, pra paraqet një përvojë që është e pranishme në letërsinë tradicionale. Përvoja e përndjekjes, shpresës dhe përballjes me fatin është e paraqitur nëpërmjet një perspektive moderne, duke e bërë poezinë të lidhur me traditën letrare.

-Edhe në poezinë moderne, ka përpjekje për t’u lidhur me trashëgiminë kulturore dhe historike të një populli. Kjo lidhje mund të shprehet nëpërmjet referencave të subtileve të historisë, mitologjisë, apo traditave folklorike. Në “Tuj ikë dekës”, kjo lidhje shfaqet nëpërmjet përdorimit të motiveve dhe simboleve me rëndësi historike dhe kulturore për popullin shqiptar. Psh., vargjet: “Strajcat n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun,/t’plagosunit n’lese t’sajueme./T’lodhun e tangall./T’uritun, te tanë./Dergjun për nji pikë ujë.” shfaqin një pamje të përgjithshme të vuajtjeve dhe sakrificave të njerëzve, ku përdorimi i elementeve të zakonshme dhe të përditshme si strajcat në shpinë dhe kërkesa për një pikë ujë e bën këtë pasazh të lidhet ngushtë me trashëgiminë epike, historike e kulturore të popullit shqiptar, duke reflektuar një realitet që ka ekzistuar përmes shekujve dhe që vazhdon të jetë një pjesë e identitetit të tyre kombëtar.

-Edhe nëse poezia moderne shpesh eksperimenton me forma dhe struktura të ndryshme letrare, ajo ende mund të respektojë dhe përmbushë disa nga rregullat dhe konventat e formës letrare tradicionale. Në poezinë e Dabishevcit mund të ketë një përdorim të strofave, rimeve, apo metaforave, të cilat janë karakteristika të poezisë tradicionale. Psh., vargjet: “Përpjetë. Tatëpjetë.” paraqitet një përsëritje e fjalëve “përpjetë” dhe “tatëpjetë”, duke ndjekur një strukturë të rregullt. Kjo formë e përsëritjes është një karakteristikë e zakonshme e poezisë tradicionale, e cila ka qenë përdorur për të theksuar një ide apo një emocion. Përdorimi i kësaj forme përsëritjeje në poezinë “Tuj ikë dekës” tregon respekt për formën dhe strukturën letrare tradicionale, duke e bërë poezinë të përputhet me konventat dhe normat e poezisë së lashtë.

Këto elemente tradicionale janë të integruara në poezinë moderne për të krijuar një lidhje midis kohës së sotme dhe traditës së lashtë, duke e bërë atë të pasurojë dhe të thellojë përvojën letrare dhe kulturore të lexuesit. Elementet tradicionale, përkrah të rejave dhe inovacioneve të poezisë moderne, krijojnë një harmoni dhe një lidhje midis kohës së sotme dhe trashëgimisë kulturore dhe letrare, duke e bërë poezinë të pasurojë dhe të ndihmojë në ruajtjen e trashëgimisë letrare të një populli.

Është pikërisht kjo qasje me epet dhe modernizim i tradicionalitetit poetik që e bën këtë krijim të Dabishevcit një poezi antologjike për nga forca me të cilën e shpreh temën dhe shpalos idenë, për stilin dhe artin me të cilët është shkruar, për “dallgët” e emocioneve që ngre në shpirtin e lexuesve.

III-

Duhet të theksojmë se poezia “Tuj i ikë dekës” e Dabishevcit është një poezi moderne me tipare të poezisë metaforike, simbolike, imazhiste dhe realiste e ngritur ne një truall dhe sfond tradicional. Falë elementeve realiste kuptimshmëria tematike dhe ideore është e drejtpërdrejtë, fakt ky që i jep forcën demaskuese dhe tonalitetin e lartë poezisë, krahas mbizotërimit të ngjyrave të forta të zezës dhe të kuqes, por duhet të theksojmë se kjo poezi ka një tipar të fuqishëm moderniteti: ajo flet me imazhe më shumë se me metafora dhe simbole, madje këto të fundit janë në shërbim të imazhit. Le të sodisim mënyrën e të “folurit” imazhist të poezisë dhe ndërveprimin mes simboleve, metaforave dhe imazheve.

– Poezia përjetohet si një ikje e shpejtë dhe me rrëmujë e një grumbulli njerëzish nën presionin e terrorit serb dhe frikës së vdekjes që ata mbartnin. Melodiciteti dhe ndjenja e lëvizjes i japin poezisë një ndjesi të fuqishme, tronditëse shoqëruar me ankthin për atë që i ndjek pas. Në qasje me vrapimin e një turme të ikurish të terrorizuar, poezia përdor strukturën, ritmin, dhe fjalët për të shprehur një lëvizje të shpejtë, plot ankth e tension dramatik: “Prej bodrumi n’bodrum, prej katundi n’katund, prej shtegu n’shteg”, por këtë e shpreh me imazhin e bodrumit, imazhin e katundit dhe atë të shtegut, veçse kjo shprehet nëpërmjet metaforës kuptimore të vetë vargut.
Shpjegojmë se në kontekstin e vargut “Prej bodrumi n’bodrum, prej katundi n’katund, prej shtegu n’shteg”, metafora është mënyra e përshkrimit të rrugëtimit ose lëvizjes së vazhdueshme në jetë, duke e krahasuar atë me një rrugëtim të nxituar, plot ankth që vazhdon pa pushim.
Kjo metaforë shpreh idenë e ripërsëritjes së një eksperience apo një situate, duke e bërë atë të duket si një lëvizje e përhershme. Kuptimi i kësaj metaforeje është që jeta është një udhëtim i përhershëm, ku personi ecën prej një përvoje në një tjetër, nga një kohë në një tjetër, pa ndalim. Përdorimi i “bodrumit”, “katundit”, dhe “shtegut” paraqet një lëvizje të përsëritur dhe të vazhdueshme, duke shfaqur idenë e lëvizjes së përhershme.
Unë ju them se Dabishevci është mjeshtre e përdorimit të detajit, madje e shpreh atë artistikisht për të dhënë imazhin e kësaj ikjeje.

– Personat e plagosur e të lodhur poetja i paraqet si një karavan njerëzish, që përjetojnë vuajtje e dhimbje të shumta: “Janë shumë. T’panumërueshëm janë/ Gjithkah. Gjithkund fmijë, gra e pleq/ n’karvan t’pakthimit”, që shfaqin imazhet e një grupi të madh njerëzish (fëmijë, gra, pleq) që ecin “n’karvan t’pakthimit”, por përdorimi i imazheve të fëmijëve, grave dhe pleqve në “karvanin e pakthimit” simbolizon një gamë të gjerë përvojash në shoqëri, duke përfaqësuar të gjitha grupmoshat dhe gjininë.
“Karvani i pakthimit” mund të simbolizojë (veçse ikjen në rastin tonë) edhe lëvizjen e jetës, ku të gjithë janë pjesë e një udhëtimi të përbashkët drejt një të ardhmeje të panjohur, në kontekstin tonë: në ikjen nga terrori serb pa një synim të qartë. Paralelisht me sa më sipër përdorimi i shprehjes “karvan i pakthimit” është një metaforë që paraqet një lëvizje kolektive, ku ky udhëtim i përbashkët në “karvanin e pakthimit” mund të jetë metaforë për ngjarjet e përbashkëta të jetës që të gjithë njerëzit përballen me to.
Pra imazhi krijohet nga simbole dhe metafora dhe në këtë rast, duke forcuar densitetin artistik të poezisë. Nuk e di pse, por ndërveprimi i metaforës me simbolin në funksion të dritësimit të imazhit më sjell ndërmend fantashkencën ku dy gurë gjatë afrimit me njeri -tjetrin (nga dikush) shkaktojnë rrymë neuronesh e protonesh dhe prodhojnë dritë që nxeh gurët dhe mundëson bashkimin fizik të tyre në mënyrë që nuk kuptohet se kanë qenë dy të ndarë.

-Poetja paraqet imazhe të forta për të shprehur dhimbjen që përjetojnë të ikurit : “Arnat s’ua mlojnë brinjtë. As kockat./Ftyrëzbardhemt. Syzgavruem./ Buzëshkrumbuem. Rrashtëkrisun./T’mavijosun”. Imazhi i përdorur në këtë varg është shumë i pasur në detajet që përdor. Ajo që ky varg paraqet është pamja e njerëzve që janë në një gjendje të vështirë, dhe shfaq shenjat e plagëve, vuajtjes dhe dëshpërimin.
Fraza “Arnat s’ua mlojnë brinjtë. As kockat.”, paraqet një gjendje të skajshme të urisë dhe mungesës së veshjeve. Vargjet: “Ftyrëzbardhemt. Syzgavruem./Buzëshkrumbuem.Rrashtëkrisun / T’mavijosun” shfaqin pamjen e njerëzve të stresuar, të zhgënjyer dhe të goditur. Pasuria e figurave është e madhe: fjala “ftyrëzbardhemt” mund të shfaqë fytyrën e të zhgënjyerit, ndërsa “syzgavruem” paraqet sytë e errët, të lodhur e të futur në zgavra nga uria. “Buzëshkrumbuem” tregon mungesën e buzëqeshjes ose shprehjen e zhgënjimit, “Rrashtëkrisun” sugjerojë një pozicion të mposhtur përballë vështirësive, ndërsa “t’mavijosun” mund të përkthehet si të rrahur, të godtur.
Imazhet janë fantastike, flasin më shumë se sa kronikat, mirëpo këto imazhe janë krijuar nga metaforat, psh: metafora “Ftyrëzbardhemt”: përshkruan fytyrën e një personi të tensionuar emocionalisht, të zbehur nga frika. Përdorimi i fjalës “bardhëm” në fund të fjalës “ftyrë” shpreh një gjendje zbardhjeje nga frika.

Metafora:”Buzëshkrumbuem”, në këtë rast, “buzët e shkrumbuara” shpreh një gjendje ku personi nuk ka fuqinë për të buzëqeshur apo të shprehë gëzimin, pasi i është “djegur” buzëqeshja në fytyrë. Ajo mund të shpjegohet edhe me buzë të plasura nga temperature e lartë që ka personi nga një sëmundje që po përjeton. Paralelisht kjo është simbol i mungesës së gëzimit e optimizmit. “Rrashtëkrisun” është një metaforë që shfaq një pozicion të personit para vështirësive të jetës, duke e bërë atë të duket si i përndjekur ose i tronditur nga ngjarjet rreth tij. Metafora:”T’mavijosun” shfaq një gjendje të enjtur në tytyrë nga ndonjë goditje e mundshme. Këto metafora janë përdorur për të forcuar me ngjyra imazhin e vuajtjes dhe të ngarkesën emocionale të tyre , duke ndihmuar në krijimin e një përshkrueshmërie më të thellë dhe të ngjyrosur për lexuesin.

Mirëpo këto metafora bashkëveprojnë me simbolet dhe konkretisht: simboli i arnimeve (arnat) i cili mund të simbolizojë varfërinë, vuajtjen ose mungesën e rrobave për veshje,simboli i fytyrës (ftyrrëzbardhemt që simbolizon një gjendje emocionale të stërmunduar, simboli i syve (syzgavruem) është simbol i mos ushqimit, i frikës apo ngarkesës emocionale që personi mund të ndjejë, simboli i buzëve (buzëshkrumbuem) simbolizojnë mungesë të gëzimit, buzëqeshjes, apo një temperaturë të lartë, simboli i pozicionit (rrashtëkrisun) përfaqëson një pozicion të njeriut të mposhtur para sfidave dhe vështirësive të jetës, i tillë është dhe simboli i dhunës së ushtruar (t’mavijosun).
Pra siç shihet, ndërveprimi i metaforave me simbolet shfaqin një imazh të fortë, plot ngjyra ku mbizotërojnë e kuqja dhe e zeza, dhe me një tonalitet të rëndë që të krijon një ankth në shpirt. Specifikisht fjalët tingëllojnë si fjalë dhe shprehje noliane (nga Noli), atë gjëmim e tingëllimë të fuqishme kanë.
Le të shohim se si e shfaq imazhin ndjenjave të pafuqisë dhe të braktisjes poetja: “Ikanak t’zanun n’lak t’kohës t’nemun/ nënshtruem i janë fatit,/pa kurrnjifar bese, kurrnjifar dorëzanie,/pa kurrnji mundësi me u përvijue…”, a nuk ju duket sikur flet Fishta te këto pasazhe që shfaqin ndjenjën e pafuqisë dhe të braktisjes së popullit në fatin e tyre të zi, të pashmangshëm, ku ata ndihen të dhunuar dhe nuk kanë më besim, pse nuk panë asnjë ndihmë ( e cila realisht u erdhi pas kësaj gjëme) për të shpëtuar ose për të ndryshuar situatën e tyre.
Në funksion të idesë të zbërthimit të imazhit në përbërësit e tij mund të themi: Imazhi në vargun “Ikanak t’zanun n’lak t’kohës t’nemun / nënshtruem i janë fatit / pa kurrnjifar bese, kurrnjifar dorëzanie / pa kurrnji mundësi me u përvijue…” është përshkrim i një gjendjeje të pashpresë, ku elementët kryesorë të këtij imazhi janë:

Ikanak t’zanun n’lak t’kohës t’nemun” – Kjo frazë pshfaq një gjendje të personit që është i “ikanak” (i aratisur ose i ikur nga një vend) i një kohe që është ” e nemun” (e mallkuar), duke aluduar se personi është nën një tension të madh, të paimagjinueshëm.
Nënshtruem i janë fatit” shpreh nënshtrimin ndaj fatit.
“Pa kurrnjifar bese, kurrnjifar dorëzanie” shfaq një mungesë të plotë sigurie të ligjëshme në jetë, qoftë dhe kanunore, pra një person në gjendje të pashpresë, pa asnjë shans për të shpëtuar ose për të gjetur ndonjë formë të lehtësimit.
“Pa kurrnji mundësi me u përvijue” shpreh një ndjenjë të mungesës së çdo mundësie për tju shmangur situatës aktuale. Realisht është imazh i një gjendjeje të përgjithshme të terrorizimit shpirtëror e fizik dhe të pamundur për t’i shpëtuar, por në fakt, ky imazh përmban një seri elementësh dhe detajesh që bashkohen për të krijuar një portret të thellë dhe të pasur. Kështu, mund të konsiderohet si një imazh kompleks që përfshin disa aspekte të një gjendjeje. Mirëpo dhe ky imazh përbëhet nga simbole dhe metafora që ndërveprojnë mes tyre në formësimin e një imazhi dhe konkretisht:
“Ikanak” simbolizon një të aratisur, të ikur, që ndiqet për tu kapur nga shteti.
Lak t’kohës t’nemun”: “Laku” simbolizon lakun e litarit ku varet një i dënuar, kurse metafora “koha e nemun” simbolizon një periudhë të mallëkuar.
Nënshtruem i janë fatit” është një metaforë për një person që ka humbur çdo shpresë në jetë. Mungesën e shpresës për të ardhmen dhe pafuqinë për të ëndërruar e shpreh te vargjet (noliane): “Andërrmbytun./Shpresëvdekun”, duke na treguar poetikisht se populli i Kosovës është përballur me një situatë të tillë, sa që para saj ndihej pa rrugëdalje.

Shikoni se çfarë dhimbje të lemerishme shfaqin në imazhin e mëposhtëm:
T’lodhun e tangall/T’uritun, te tanë/Dergjun për nji pikë ujë” i cili na ndihmon në forcimin e ndjenjës së tragjedisë dhe dhimbjes së përjetuar nga populli, shprehur me metaforat: “T’lodhun e tangall”,”T’uritun, te tanë”dhe “Dergjun për nji pikë ujë”, ku luan rolin e një simboli fraza “Dergjun për nji pikë ujë”.
Kjo frazë mund të interpretohet simbolikisht si dëshmi e përpjekjeve për të gjetur shpëtim ose për të përballuar gjendjen e vështirë, duke përdorur ujin si simbol i jetës, shpresës dhe shpëtimit. Uji shpesh paraqitet si një simbol i rinisë, ose paqeje, ndaj në këtë kontekst, “pika e ujit” mund të shprehë një shpëtim të vogël në një gjendje të lodhshme e të rrezikshme. Kështu, kjo frazë përdor një imazh të thjeshtë të një resursi të nevojshëm, ujë, për të përshkruar një dëshmi të përpjekjeve për të gjetur shpëtim.

A nuk ju duket si një pikturë guernikiane e Pikasos ku mbizotëron e kuqja e gjakut dhe e zjarrit bashkë, e zeza e mureve, trarëve e trupave të djegur dhe e tymit që mbulon qiellin? Nuk duket dielli gjëkundi që të ndrijë, madje dhe kur shfaqet në vargje, si për të përforcuar dhe universalizuar dhimbjen, poetja e përfshin me elementët e natyrës në “aleancë” me dhunuesit: “Dielli i përvlon e hana i ngrin/ S’dihet ku ju errë nata e ku ju çelë dita.”, vargje që të krijojnë përshtypjen se janë zbritur nga Epet e kreshnikëve, kaq forcë shprehin në vetvete dhe kaq dhimbje shkaktojnë, pse krijojnë ndjenjën e pafundësisë së përjetuar, sidomos me vargun e fundit: “Ata ik e deka njek!” që përfundon poezinë me një shprehje të fortë, duke theksuar mungesën e zgjidhjeve dhe pafundësinë e vuajtjeve, një ecje e përjetëshme drejt Golgothas. “Deka” në këtë kontekst paraqet shqetësimin, dëshprimin, mungesën e shpresës për një përmirësim, fundin.

IV- 

Vargu përmbyllës: “Ata ik e deka njek!” është i fuqishëm dhe optimist në mënyrë të njëanshme, dhe përmban një ngjallje dhe intensitet të thellë emocional. Le të analizojmë disa aspekte të këtij vargu:
Vargu:”Ata ik e deka njek!” përmban një forcë emocionale, duke paraqitur një imazh të fortë të lëvizjes dhe vendosmërisë. Fjala “ik” shfaq një imazh lëvizjeje të një njeriu duke u larguar nga vdekja, ndërsa “deka njek” paraqet rrezikun e madh dhe të vazhdueshëm që populli i Kosovës ka pasur për të përballuar dhe për të mbijetuar.
Në këtë varg, ndjenja e vendosmërisë për të shpëtuar (jetën) nga rreziku i vdekjes shpreh një formë të qartë rezistence dhe përkushtimi për të ardhmen. Edhe pse përballen me rreziqe të mëdha dhe mundohen të ikin prej tyre, fjalët “Ata ik” ndërkohë që “deka njek” dëshmojnë një vendosmëri dhe një dëshirë për të mbijetuar. Këto fjalë japin një imazh të fortë të lëvizjes dhe vendosmërisë së popullit të Kosovës, duke synuar në këtë “ikje” drejt shpëtimit ose një qëllimi. Përdorimi i fjalës “Ata” (Ata) bën që ky varg të ketë një ndjesi të përgjithshme dhe të fuqishme për qëllimin e përbashkët të gjithë popullit, jo të individit.

Melodiciteti i poezisë është i zymtë, i trishtueshëm, por përjashtimisht te vargu i fundit “Ata ik e deka njek”, melodiciteti shfaq ngritje tone optimizmi, deri në kufijtë e një tonaliteti triumfi. Te ky varg folja “ik” ka kuptimin “ikë” ku mbaron me një zanore ”ë” që i jep mundësi zgjatjeje një intervali muzikor. Vërtet folja “ik” nuk e përmban zanoren “ë” për efekt të apostrofit, por kjo nuk ja humbet efektin kësaj zanoreje, aq më tepër që dhe zanorja “i” e kësaj foljeje ka mundësinë e bashkpunimit me zanoren “a” të përemërit “Ata”.
Përkundër kësaj, folja “njek” përfundon me bashkëtingëlloren “k”, e cila e ndërpret tingullin e zanores “e” të foljes “njek”, (e cila gjendet mes dy bashkëtingëlloreve) duke krijuar imazhin e mbetjes shumë pas të “dekës”, shumë larg atyre që ikin, duke lënë të kuptojmë shpëtimin e tyre.
Në fakt e gjithë kjo ikje bëhej vetëm me synim të shpëtoheshin jetë fëmijësh, grash e vajzash, të shpëtohej nderi i tyre nga “deka”. Në këtë kontekst më brofi mendimi: Jo më kot autorja e ka krijuar poezinë në një qasje me epikën shqiptare, duke dalur të mundur nga kjo luftë e pabarabartë me gratë e fëmijët, nga kjo ikje, paramilitarët serbë mbeten “të mundurit epikë” jo vetëm në kohët epike (në artet gojore) por edhe në kohët moderne (në poezinë modern shqipe).
Pra mbeten përjetësisht të lidhur në “shtyllën e turpit”. Sdi pse në këto çaste m’u kujtua Montgomeri ditën e zbarkimit në Normandi, ku në një fjalim të shkurtër para një njësie ushtarake sulmuese angleze, duke përfunduar tha: “Dhe mos harroni, më e rëndësishmja e kësaj lufte është të shpëtoni jetët tuaja”.
Pikërisht në këtë aspekt duhet parë triumfi i jetës, heroizmi i popullit që “ikte”, kulmi i idesë së kësaj poezie të bukur.

Sarandë, më mars 2024

Poezia “Tuj ikë dekës”, gjendet në librin e sapobotuar të Donika Dabishevcit, titulluar “E gjithkohshmja Andërr”.
Ju ftojmë të lexoni:

Donika Dabishevci: TUJ IKË DEKËS

Prej bodrumi n’bodrum, prej katundi n’katund,
prej shtegu n’shteg, qafmalesh, rranxash,
pjerrinash, rrëpinash t’thyeshme. Sa k’tu sa aty.
Përpjetë. Tatëpjetë.

Janë shumë. T’panumërueshëm janë.
Gjithkah. Gjithkund fmijë, gra e pleq
n’karvan t’pakthimit. Humbtinave
kurrë t’njohuna tamam.

Andërrmbytun.
Shpresëvdekun.

Strajcat n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun,
t’plagosunit n’lese t’sajueme.
T’lodhun e tangall.
T’uritun, te tanë.
Dergjun për nji pikë ujë.

Arnat s’ua mlojnë brinjtë. As kockat.
Ftyrëzbardhemt. Syzgavruem.
Buzëshkrumbuem. Rrashtëkrisun.
T’mavijosun.

Dielli i përvlon e hana i ngrin.
S’dihet ku ju errë nata e ku ju çelë dita.
Për ku ja kanë mësy e ku kanë me mbërri.

Ikanak t’zanun n’lak t’kohës t’nemun
nënshtruem i janë fatit,
pa kurrnjifar bese, kurrnjifar dorëzanie,
pa kurrnji mundësi me u përvijue…

Ata ik e deka njek!

Timo Merkuri Bajram Mjeku E gjithkohshmja Andërr

ObserverKult

  • Lexo edhe:

1.GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
2. Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”
3. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
4. HAJRIZ SEJDIU: E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
5. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
6. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
7. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
8. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
9. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE

10.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
11.Drita Fejza: “E gjithkohshmja Andërr”, libër që ruan kujtesën historike dhe nderon viktimat e luftës!
12. Hajriz Sejdiu: Shtatë imazhet në përmbledhjen poetike të luftës “E Gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit
13. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
14. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
15. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
16. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!

17.Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës
18. Kemajl Aliu:ABSURDI I LUFTËS DHE PSIKO- DRAMA NJERËZORE
19. Vilson Culaj: “E gjithkohshmja Andërr”, saga e dramës kombëtare që flet përmes artit poetik
20. Halil Matoshi: Diskursi i emnimit të ligësisë simas estetikës së të shëmtuemes te Donika Dabishevci
21.Sadedin Mezuraj: Guernika poetike e Donika Dabishevcit

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” E DONIKA DABISHEVCIT VLERËSOHET SI LIBRI MË I MIRË ME POEZI NË PANAIRIN E LIBRIT NË PRISHTINË