“E gjithkohshmja Andërr”, kujtesë historike në vargje

e gjithkohsmja anderr mergim bekteshi


Shtëpia Botuese “Littera” pak kohë më parë botoi librin me poezi “E gjithkohshmja Andërr’’ të poetes dhe studiueses, Donika Dabishevcit. Këto poezi të shtruara me kujdes do t’i emërtoja si pjesë e rëndësishme e autobiografisë tragjike të një populli, sidomos në fundshekullin e shkuar, kur lufta shkatërrimtare ra mbi të. “Lufta, kjo qenie e tmerrshme, i detyron burrat t’i hapin vetë varret … ngadalë, sikur të bënin ndonjë vepër delikati arti” (f.9), shprehet në parathënie redaktori i librit, Gëzim Aliu.

Nga Mërgim BEKTESHI


Poetja Dabishevci vërehet se ka bërë një mund të madh për të përjetësuar në vargje makthin e luftës së kobshme që mori jetën e shumë e shumë njerëzve të pafajshëm, që kishin të vetmin qëllim kërkimin e lirisë brenda një kontinenti të vjetër që trumbetohet si djep i demokracisë. Stuhitë e dallgëve të detit mund t’i përshkruajë vetëm ai që lundron me barkë dhe poetja kishte parë çnjerëzoren tek dalldisej për të shuar etjen me gjak.
Në katër ciklet e librit, përjetësohet e kaluara poetikisht e artistikisht, jo në funksion të paranojës, por të kujtesës historike, sepse duke
kujtuar të kaluarën, jemi më të kujdesshëm për të ardhmen.
Zanun n’lak fillon me poezinë “Granatimi”, paqja mbulon njeriun, natyrën, gjithçka, harmonia prek horizontet: T’herakshmet rreze pranverore/ përkëdhelnin prajshëm gjithçka mbi dhe (f.15), por prishet shumë shpejt nga granatat e barbarëve (f.15). Cikli i parë është më i ngjeshuri për nga ndërtimi ideor, por fillon ngadalë të përgatisë lexuesin për skenarët e tjerë, vetë kuptimi “i zënë në lak”, tregon kurthin që ngufat njeriun. Të këtij cikli janë edhe poezitë Shpija që duhet të braktiset, edhe pse do të duhej të ishte strehë e sigurt: Jo aso strehe që t’flen zemra e t’gjen prehje shpirti./Jo. Lufta t’i çkërdhen konotacionet filozofike! (f.18).
Tjetër poezi që do të veçoja në këtë cikël është edhe Simfoni zorrësh, ku njeriu duhet të mendojë se a duhet të vdesë nga plumbi apo nga uria. Janë do tipa n’kajde t’insanit (f.25) është poezi që shpërfaq matrapazët që përfitojnë nga lufta, atyre nuk u bëhet vonë për asgjë apo, siç thotë poetja, eksitohen vetëm me paranë, në kohën kur Veç çmimi i jetës së njeriut bjen përtokë (f.26).
Janë edhe shumë poezi të tjera që shkallmojnë shpirtin apo e thyejnë llozin e hekurt, përballë jetës dhe vdekjes, kur nëna
thotë me merrni mua për të mos ia marrë vajzën e mitur, por barbarët janë barbarë.
Lakmia me u çmend është cikli i dytë i librit, që fillon me poezinë Ninullë, kur nëna mundohet të këndojë magjishëm për të birin, por e vërteta është ndryshe, ky komunikim me të birin sado të vogël, nuk e zbut në sytë e tij tmerrin që shihte gjatë ditës dhe natës. Gjumi nuk e zë të gjorin fëmijë, ishte pjekur para kohe, shtojzovallet dhe njëbrirëshi dhe qilimi magjik ishin gjëra e ëndrra të harrura. S’kish menu nanëzeza…. është një poezi tjetër kur nëna lutet që Zoti t’ia marrë shpirtin fëmijës së saj, e kobshmja luftë e kishte mbështetur për muri, ishte vetëm lutja ndaj krijuesit sepse dhimbjet e fëmijës ishin të mëdha: Marova nanë prej barku, mos m’prek…/po
m’dhem shumë
(f.57). Në këtë cikël hyn edhe poezia E vogla ku do të citoja vetëm një varg: Prej gjinit t’nanës,/n’gji t’dekës!(f.64).
Në ciklin e tretë dhe të katërt janë poezitë që e ngjeshin edhe më shumë situatën e rënduar të njeriut përballë luftës që mundohet në çdo skutë të kapërdijë edhe një jetë njeriu, duke gllabëruar çdo gjë, duke vrarë, dhunuar, masakruar.
Në librin E gjithkohshmja Andërr kujtesa shfaqet më së miri nga ata që panë dhe prekën më duar luftën, ata që mbajtën dhe mblodhën gjymtyrë e kocka njeriu. Pra, poezia e Donikës është e prekshme në kuptimin objektiv sepse tmerri kishte kaluar para saj dhe është fatmirësi nacionale që këto vëzhgime e përjetime i ka hedhur në vargje të ndërthurura me mjeshtri gege, sepse tani zëri i saj në poezi është gegërishtja të cilën e zotëron me mjeshtëri.
Këto poezi që kanë trajta të ndryshme të ndërtimit, kanë bukurinë e tyre letrare, estetike, por edhe historike, dhe ky libër do tè jetë provë artistike që do të mbesë në kujtesën tonë për mizorinë barbare sllave.

ObserverKult

Lexo edhe recensione tjera për këtë libër:

1.GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
2. Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”
3. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
4. HAJRIZ SEJDIU: E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
5. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
6. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
7. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
8. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
9. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE

10.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
11.Drita Fejza: “E gjithkohshmja Andërr”, libër që ruan kujtesën historike dhe nderon viktimat e luftës!
12. Hajriz Sejdiu: Shtatë imazhet në përmbledhjen poetike të luftës “E Gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit
13. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
14. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
15. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
16. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!

17.Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës
18. Kemajl Aliu:ABSURDI I LUFTËS DHE PSIKO- DRAMA NJERËZORE
19. Vilson Culaj: “E gjithkohshmja Andërr”, saga e dramës kombëtare që flet përmes artit poetik
20. Halil Matoshi: Diskursi i emnimit të ligësisë simas estetikës së të shëmtuemes te Donika Dabishevci
21.Sadedin Mezuraj: Guernika poetike e Donika Dabishevcit

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” E DONIKA DABISHEVCIT VLERËSOHET SI LIBRI MË I MIRË ME POEZI NË PANAIRIN E LIBRIT NË PRISHTINË

Timo Merkuri Bajram Mjeku E gjithkohshmja Andërr