
Libri i Donika Dabishevcit, E gjithkohshmja Andërr, është një përmbledhje me poezi e cila trajton një ndër temat me të dhimbshme, makabre, të frikshme dhe trishtuese njëkohësisht, atë të luftës. Të gjitha poezitë në këtë libër sillen kah dhe rreth luftës. Ato paraqesin luftën me të gjitha tmerret e saj, duke tejkaluar kohë dhe hapësire ku ajo zhvillohet. Pjesa dominuese e poezive kanë për subjekt luftën e fundit të Kosovës, mirëpo kemi edhe poezi të cilat janë të motivuara edhe nga ngjarje të tjera, qoftë nga lufta e Bosnjës, Ukrainës por edhe luftëra të tjera që janë zhvilluar e po zhvillohen edhe në ditët e sotme, sado që vet koncepti i luftës në kohët kur po jetojmë tingëllon absurd dhe i pabesueshëm, faktikisht ajo po ndodhë edhe sot.

Nga Fatbardhë Hasi
Libri si ndërtim strukturor ndahet në katër cikle: Zanun n’lak; Lakmia me u çmend; N’luftë më korba; Dhimta t’ngufatuna n’ofshama t’pazashme. Poezitë janë të shkruara në varg të lirë dhe karakterizohen për një narracion të theksuar që i bën poezitë të flasin dhe të dëshmojnë për të ndodhura dhe ngjarjet që rrëfehen. Pra janë lloji i poezisë që i karakterizon rrëfimi i theksuar që mund të qojnë edhe nga një lloj proze poetike.
Poezitë si tërësi karakterizohen nga një dhembje e cila godet popullatën e pafajshme civile që fati ua ka caktuar të përfshihen në ngjarje dhe tmerre të tilla. Edhe pse në këndvështrimin e gjerë tematika e luftës që trajton E gjithkohshmja Andërr, është lufta pushtuese dhe gjenocidi ku një shtet synon të pushtoj dhe të nënshtroj një shtet apo komb tjetër, në brendi të poezive kemi edhe lloje të tjera të luftërave më të cilën përballen qytetaret si: lufta psikologjike që i shtyn individët deri në skajet me ekstreme, sa që nënat në lutjet e bëra kërkojnë vdekjen e fëmijëve të tyre, apo kërkesa për një vdekje të pastër nga plumbi. Më pas kemi luftën e urisë ku zorrët kërcasin nga mungesa e ushqimit dhe përfundimisht krijohet pikëpyetja e madhe: A kemi me dekë uni a prej plumbi?
Rrjedha lineare e libri fillon më një gjendje qetësie ku jeta ka rutinën e saj të zakonshme. Përshkrimi që i bën autorja natyrës është me nota të theksuara idilike, mirëpo në pak çaste e gjitha ajo idilë deformohet dhe shkatërrohet me të filluar granatimet. Me pas linja e poezive shkon vetëm duke u ashpërsuar ku tmerri dhe makabria arrin kulmin nga gjenocidi i rrëfyer dhe përshkruar që pëson gradacion ngjitës nga poezia në poezi. Kah fundi i librit gjendja sikur qetësohet paksa. Lufta si proces i vazhdueshëm dhe gjenocidi kanë mbaruar, për t’i lënë vend luftës së përjetshme të dhimbjes dhe mungesës për më të dashurit që nuk janë më. Dabishevci përmes vargjeve shpreh absurditetin për atë që nënat detyrohen të paraqiten para të tjerëve:
T’msueme me shku te nji gur vorri
e mos me la me lot – me i përbi
e mos me thanë mjera unë,
po lum nana për ty!
Shtrohet pyetja se: cila nënë, sa do e çmuar që të jetë liria për të, mund të thotë: lum nana për birin e vdekur?
Poezia Ulurin deka…, është një nga poezitë më përmbledhëse që tregon deri në çfarë shkalle mund të shkojë ligësia dhe shkatërrimi që sjell lufta. Poezia fillon si një lloj reportazhi ku paraqitet zëri dramatik i një folësi prapa transistorit i cili lajmëron për zhvillimet e luftës. Është goja që flet prapa transistorit dhe veshtë që dëgjojnë para tij që krijojnë gjendjen lebetitëse si pasojë e informacioneve që paraqiten. Folësi lajmëron për intensifikime të luftimeve, ku janë përfshirë vende te reja, fshatra dhe qytete. Numri i viktimave është në rritje dhe kjo paraqitet përmes gradacionit: njëqind, dyqind, njëmijë…
Të dhunuar, të vrarë, të masakruar, të shpërfytyruar, trupa pa kokë, gjymtyrë pa trung, kamionë të stërmbushura kufomash, bebe të nxjerra barqesh, e të tjera të ushqyera më gjak. Këto e tmerre të tjera të paraqitura përmes figurës së enumeracionit, janë informacione që iu fusin lemerinë veshëve që dëgjojnë: breshërimë lajmesh që t’a luejnë trunin.
Më pas autorja fut në funksion aspektin letrar e artistik ku vdekjes i vishen atribute njerëzore. Ajo ulërin, lozë dhe kënaqet më gjitha atë llahtari që po zhvillohet aty:
Hidhet e përdridhet tek zgërdhihet, deka. Ndërron trajta.
Ban akrobacione. Trallisun e harlisun n’ekstazë merr turli forme.
Si fishkëllimë kamxhiku, teh thike, bajonetë, hanxhar.
Vringëllimë me kose. Njeriu. Militar e paramilitar. T’rreshtuem
n’komandë apo tuj ndjek instinkt shtazarak vetjak. Deka ulurin…
Kërcënuese deri n’shfarosje. N’asgjasim, deri në zhbamje!
E kjo vdekje që është kaq e uritur për gjak dhe kaq e pangopshme për mish e kocka nuk pyet se kush do të jetë viktima e radhës: (S’po pyetka futzeza. Ma e zezë se zeza ish), ajo vetëm donë të përmbush epshin e saj.
Përfundimisht individët që dëgjojnë transistorin i përfshinë frika dhe tmerri i asaj që po ju afrohet nga e cila gjasat për të shpëtuar janë nën zëro. E kjo frikë përmbyllët më klithma ekzistencialiste siç e ka përshkruar autorja:
A na u kanë afrue,
Ku po granatojnë,
A po na ndihmon kush,
A do desim a po pshtojmë?
Poezia në fjalë nuk i referohet një lufte konkrete. Nuk pozicionohet në një vend apo në një kohë. Kjo e bën atë universale dhe që prek të gjithë popujt e botës në dyert e të cilëve ka apo mund të troket lufta. Është kjo një thirrje e dëshpëruar për reflektim dhe për t’i thënë stop tmerrit dhe të ligave që sjell lufta, duke e bërë poezinë një formë proteste që godet pakuptimësinë e dhunës dhe fatkeqsisë njerëzore. Varësisht cilat do qofshin arsyet e saj, përfundimisht nuk ka argumente apo fakte që mund t’i arsyetojnë luftërat dhe pasojat e saj.
Leximi i poezive E gjithkohshmja Andërr, për ata që kanë përjetuar një luftë të armatosur, krijon një ndjesi trishtimi sepse risjell në mendje të gjitha kujtimet dhe përjetimet e asaj periudhe. Kjo ndodhë sepse Donika Dabishevci ka përfshirë në poezitë e saj edhe detajet me të vogla të pasojave që shkakton lufta. Kjo bën që lexuesit t’i ringjallen edhe kujtimet e fjetura në kujtesën afatgjatë, andaj si rezultat, përgjatë leximit secili lexues mund të përjetoj për së dyti luftën në mendjen e tij.
ObserverKult
Lexo edhe:
1.GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
2. Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”
3. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
4. HAJRIZ SEJDIU: E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
5. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
6. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
7. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
8. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
9. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE
10.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
11.Drita Fejza: “E gjithkohshmja Andërr”, libër që ruan kujtesën historike dhe nderon viktimat e luftës!
12. Hajriz Sejdiu: Shtatë imazhet në përmbledhjen poetike të luftës “E Gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit
13. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
14. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
15. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
16. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!
17.Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës
18. Kemajl Aliu:ABSURDI I LUFTËS DHE PSIKO- DRAMA NJERËZORE
19. Vilson Culaj: “E gjithkohshmja Andërr”, saga e dramës kombëtare që flet përmes artit poetik
20. Halil Matoshi: Diskursi i emnimit të ligësisë simas estetikës së të shëmtuemes te Donika Dabishevci
21.Sadedin Mezuraj: Guernika poetike e Donika Dabishevcit
22. Mexhid Mehmeti: “E gjithkohshmja Andërr”, libër me poezi që nuk konsumojnë, por ndriçojnë!
23.Argjenda Murati: “E gjithkohshmja Andërr”, dokumentaritet poetik i luftës
24. Fatbardhë Hasi: E gjithkohshmja Andërr/ Libër që risjell lemerinë, makthin dhe absurditetin e luftës
“E gjithkohshmja Andërr” e Donika Dabishevcit merr Çmimin për veprën më të mirë me poezi për vitin 2024
“E gjithkohshmja Andërr” e Donika Dabishevcit vlerësohet si libri më i mirë me poezi në Panairin e Librit në Prishtinë
“E gjithkohshmja Andërr” e Donika Dabishevcit, përkthehet dhe botohet në esperanto






