Përmbledhja e fundit e Donika Dabishevcit “E gjithkohshmja Andërr”, është një poetikë për luftën dhe një akuzë kundër saj, për luftën jo atë me motiv epik e heroik, siç shpesh pa qëllim të keq glorifikohen heronjtë dhe betejat, por tema e luftës në këtë përmbledhje është klithmë dhe thirrje për pasojat e saj tek foshnjat, fëmijët, të rinjtë, gratë, burrat, pleqtë e plakat si dhe të gjitha viktimat që takohen dhe përballen fyta-fyt me luftën, të paarmatosur dhe tërësisht të pambrojtur.
Nga Hajriz Sejdiu
Lufta është një kohë dhune, proteste, vdekjeje dhe dhimbjeje, për shumë njerëz në mbarë botën. Për luftën janë shkruar, shkruhen dhe prapë do të shkruhen shumë poezi sepse poezia është një nga mënyrat më të zakonshme, që njerëzit t’i shprehin ndjenjat e tyre, për situatat dhe ngjarjet në kohë lufte.
Që nga poezia e parë e përmbledhjes ” E Gjithkohshmja Andërr”, autorja Donika Dabishevci mbështet të përkohshmen tragjike tek një shtyllë e fortë ose tek boshti estetik sikurse në traun-llozin e Arkimedit e që në këtë përmbledhje është poezia postulat me të njejtin emër sikurse vetë titulli i përmbledhjes. Jo vetëm poezitë deri tek kjo poezi, por edhe të tjerat pas saj dhe të gjitha së bashku, sikur udhëtojnë nëpër këtë poezi urë dhe krejt në breg, krijojnë një antinomi, një antitezë të fuqishme ndaj dhunës, për një shpresë drite si dalje nga tymi dhe errësira e luftës.
“Çasti poetik është domosdoshmërisht kompleks, ngase mallëngjen, inkurajon, ngushëllon dhe habit sado që është familjar thelbësisht, momenti poetik është një raport harmonik i dy të kundërtave”, shkruan Gaston Bachelard, filozofi francez i shkencës dhe poezisë, epistemolog i njohur, autor i shkrimeve të shumta që lidhen me njohjen dhe hulumtimin. Në një raport të tillë harmonik është edhe momenti poetik i dy të kundërtave e përkohshmja dhe e gjithkohshmja deri në ambivalencë tek poezia e Donika Dabishevcit. Në poezitë e Donikës, nga antiteza e deri te ambivalenca bashkëjetojnë dhe bashkëudhëtojnë dorë për dore përgjatë gjithë përmbledhjes idilikja me vrazhdësinë, vdekja me jetën, errësira me dritën, pesimizmi me shpresën dhe e përkohshmja me të gjithkohshmen.
E përkohshmja dhe e gjithkohshmja në poezinë e Donikës
E përkohshme është çdo fatkeqësi, çdo luftë, çdo vuajtje, lëndim a plagosje deri edhe vdekja, kjo e përkohshme e përshkon tërë përmbledhjen e Donika Dabishevcit që nga fillimi deri te poezia E gjithkohshmja Andërr, për të vazhduar tutje edhe pas kësaj poezie e cila qëndron në mes të përmbledhjes si një lapidar, si një pemë jete apo si një kështjellë e pamposhtur e që rrotull saj ngërdheshet e vigjilon vdekja si një vorbull uji që përpin gjithçka.
E gjithkohshmja apo përjetësia në poezinë e Donikës sikurse në gjithë artin letrar është gjithëkohësia ose gjendja e asaj që mendohet se nuk ka as fillim as fund. Thuhet dikund “se përjetësia apo e gjithëkohshmja dhe koncepti i lidhur me pafundësinë në poezi janë shoqëruar prej kohësh me ngjyrime të forta emocionale, duke shërbyer për të mahnitur, molisur ose duke i ngatërruar ata që përpiqen t’i kuptojnë ato”. E gjithkohshmja është absolute dhe konstante, është gjakim sidomos kur shndërrohet në andërr të përjetshme (E gjithkohshmja Andërr), në një andërr trajtash dhe formash të ndryshme ”herë e mbuluar nga pluhuri e herë shkëlqim dehëse” shkruan Donika.
Andrra groteske
Groteske është andrra e Donikës e cila karakterizohet me një poetikë shprehjesh të dendura dhe me një përshkallëzim njëkohësisht idilik, lirik, dramatik, tragjik, ironik e deri tek e madhërishmja dhe më tutje deri tek një andërr e përjetshme si hymn kushtuar jetës.
Në një dedikim romanit të tij “Një kohë pa kohë” autori Luan Rama shkruan: “Madje edhe historia e një dite apo e një jave merr dimensionet e gjithkohshmes, një vlerë të gjithkohshme apo absolute”, kështu edhe poezia e Donikës e veçanërisht poezia kryefjalë e saj “E gjithkohshmja Andërr” është një poezi e cila i merr të gjitha trajta e përjetësisë, është andërr e andrrave (sikurse Kënga e këngëve) veçse jo një hymn për dashurinë Solomonike, por “një andërr e vjetër qindvjecare, e zier, e djegur dhe e mbyllur n’arka t’arrta”, që ik dhe kthehet, sillet në një rreth vicioz, për të gjetur shpëtimin në dashurinë për jetën. Kjo është një andërr e nje çasti të gjatë e të pakohshëm, të rëndë dhe e një realiteti të tmershëm e të përkohshëm deri tek koha që e kërkon dhe e gjen të gjithkohshmen andërr. Në këtë përmbledhje e përkohshme është thuajse e gjithë situata ekzistenciale me ankth, plagë, dhunë, vdekje dhe e tërë kjo situatë ndërtohet mbi dy shtylla që janë antitezë ambivalente. E para është realja e dhimbshmja e përkohshme deri në shterrje duke ardhur deri tek ajo fija e hollë e çeliktë që mban gjithë ngrehinën e shpresës njerëzore e që si antinomi e gjithë përmbledhjes, shtrihet nëpër poezinë ”E gjithkohshmja Andërr” deri në vargjet e fundit:
” E pashkatërrueshme, e pavdekshme,
e gjithkohshme asht Andrra
Me dalë gjallë prej lufte
bashkë me krejt t’dashtunit e tu!”
Ky fund ndoshta jo plotësisht, por edhe mund të krahasohet me librin “Nata” të Eli Vizelit (Elie Wiezel), hebreut që fitoi çmimin Nobel për paqe me historinë e tij të përshkruar në këtë libër për Holokaustin e ku ndër të tjera shkruan:” Nuk do t’i harroj kurrë të gjitha këto edhe sikur të jem i dënuar të jetoj aq gjatë sa vet Zoti, kurrë”!
Mos harresa si kredo poetike e Donika Dabishevcit edhe në këtë vazhdë sikurse edhe gjatë gjithë përmbledhjes, është plotësisht në një zë me thënien e Vizelit: “për shkak se mbaj mend dëshprohem, për shkak se mbaj mend, kam për detyrë të refuzoj dëshprimin”! Edhe sipas Vizelit por njëkohësisht edhe sipas Donikës, pavarësisht të gjithkohshmes andërr që vjen si shpëtim hyjnor edhe ato vuajtje të përkohshme që janë gjithë dhembje e gjak, janë të paharrueshme deri në përjetësi.
Donika në përmbledhjen e saj “ E gjithkohshmja Andërr” vizualizon atë qëndresën humane dhe përpjekjen mbinjerëzore të qytetarëve të pambrojtur. Kjo mënyrë e të shkruarit kërkon korrektësi, ndjesi dhe përjetim autorial, përndryshe mund të duket si klishe, por kjo nuk ndodh tek poezia e Donikës.
Pa dashtë që të futem në ndonjë analizë të thellë krahasuese si p.sh me poetikën e Milazim Krasniqit tek përmbledhja “Poezia dhe vdekja” ose me poezitë e boshnjakut, Izet Sarajliq (Përmbledhje e luftës Sarajevase), të cilët në poezitë e tyre të mrekullueshme për luftën, personazhet (viktimat) e tyre i emërtojnë me emër dhe mbiemër e që duket sikur këto personazhe trajtohen poetikisht si një tragjikë individësh dhe jo si një dhembje kolektive, përkundrazi Donika nuk përmend emra njerëzish as vendesh, por tek llava e zjarrtë dhe përvëluese e luftës i prek dhe i trajton artistikisht të gjithë pa dallim, edhe njerëzit edhe tokën edhe ujin edhe ajrin.
Donika Dabishveci me përmbledhjen e saj të fundit, shpërthen si një zë i dhembjes kolektive kosovare të luftës, por jo si zë dëshprues sepse m’u aty në qendër të dëshprimit ngritet shtylla mbajtëse e jetës: ”E Gjithkohshmja Andërr”!
Maj 2024
ObserverKult
lexo edhe:
Lexo edhe:
1.GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
2. Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”
3. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
4. HAJRIZ SEJDIU: E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
5. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
6. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
7. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
8. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
9. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE
10.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
11.Drita Fejza: “E gjithkohshmja Andërr”, libër që ruan kujtesën historike dhe nderon viktimat e luftës!
12. Hajriz Sejdiu: Shtatë imazhet në përmbledhjen poetike të luftës “E Gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit
13. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
14. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
15. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
16. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!
17.Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës
18. Kemajl Aliu:ABSURDI I LUFTËS DHE PSIKO- DRAMA NJERËZORE
19. Vilson Culaj: “E gjithkohshmja Andërr”, saga e dramës kombëtare që flet përmes artit poetik
20. Halil Matoshi: Diskursi i emnimit të ligësisë simas estetikës së të shëmtuemes te Donika Dabishevci