
(Donika Dabishevci: “E gjithkohshmja Andërr”, Littera, Prishtinë, 2024)
Vepra “E gjithkohshmja Andërr” e poetes Donika Dabishevci është një dëshmi e ndjeshmërisë dhe forcës së artit për të mbijetuar përmes fjalës.

Nga Argjenda Murati
Të rritur mes rrëfimeve të luftës nga brezat para nesh, e ndjejmë rrëfimin poetik për luftën si pjesë të identitetit tonë kolektiv. Donika Dabishevci i ka përmbledhur më së miri përjetimet e njerëzve gjatë luftës në Kosovë, dhe vendeve tjera, duke i shndërruar ato në një poezi të fuqishme dhe të ndjerë. Në kundërshtim me errësirën e luftës autorja vendos një dritë shprese, duke treguar se edhe në kohërat më të vështira, ëndrra dhe jeta nuk mund të shuhen.
“E gjithkohshmja Andërr” është një vepër që nuk lexohet vetëm me mendje, por edhe me zemër. Për ne që jemi rritur me tregime lufte, me histori të dhimbshme lufte, të rrëfyera nga gjyshërit, prindërit tanë kjo vepër bëhet pasqyrë e të përjetuarit ndër vite. “E gjithkohshmja andërr” është vepra e fundit e autores Donika Dabishevci, e cila edhe pse njihet si poete e dashurisë që ka thyer tabu në Kosovë për shkrimet e saj erotike, lirike, kësaj rradhe trajton temën e luftës, dashurisë, shpresës, dhembjes, urisë etj. Duke lexuar poezitë e vërejmë që në çdo temë që e trajton Donika Dabishevci është mbështetur në realitet duke u bazuar në ngjarje të vërteta të rrëfyera nga gra, vajza të dhunuara, vrasje, masakër etj. Përveç që trajton ngjarje të ndodhura gjatë luftës në Kosovë, autorja është bazuar edhe në ngjarjet e luftërave së fundi si në Gaza, Ukrainë etj.
Ajo që e bën këtë vepër edhe më interesante është edhe përdorimi i dialektit gegë, që e krijon një lidhje më emocionale mes lexuesit dhe veprës. Përveç dialektit gegë autorja ka përdorur edhe gjuhën letrare. Figuracioni i pasur si dhe simbolika e përdorur në poezitë e kësaj vepre e bëjnë këtë vepër të thellë dhe shumëdimensionale. Vepra karakterizohet nga një gjuhë poetike e pasur dhe e ndërtuar mbi figura letrare si metafora, antiteza, epiteti, krahasimi, si dhe elemente tingullore dhe përsëritje, të cilat i japin vargut një harmoni dhe thellësi estetike. Poetja zgjedh vargun e lirë, duke shmangur kufizimet e skemave tradicionale dhe duke e lënë poezinë të rrjedhë natyrshëm. Struktura e vargut ndryshon në mënyrë të larmishme, nga vargjet më të shkurtra njërrokëshe deri te ato më të gjata me shtatëmbëdhjetë rrokje, duke krijuar një ritëm të veçantë dhe ekspresiv.
Këtë vepër poetike e përbëjnë katër cikle poezish, secili duke sjellë një dimension të thellë ekzistencial dhe filozofik të jetës dhe luftës.
Cikli i parë, “ZANUN N’LAK”, hapet me poezinë “GRANATIMI”, ku autorja përshkruan fillimin e një lufte që ndryshon përgjithmonë rrjedhën e jetës. Por, para se të shpërthejë zjarri i granatimeve, poetja ngjall një portret të thellë dhe idilik të jetës para luftës. Me një gjuhë të ngrohtë dhe të pasur, Donika Dabishevci, pikturon një peizazh të mbushur me hijeshi: një qiell të kaltër si pikturë, bar të gjelbër si shpresë, dhe zogj që këndojnë me hare, duke përçuar qetësinë dhe bukurinë e një bote të paarmatosur nga konflikti. Ky imazh i idilës zhduket përnjëherë, sikur të ishte vetëm një ëndërr e brishtë, sapo granatimet shpërthejnë “sa hap e mbyll sytë”, siç thotë vetë autorja.
Në poezinë “Shpija”, autorja thellon këtë reflektim filozofik mbi kuptimin e shtëpisë. Përmes vargjeve të saj, Donika tregon se lumturia nuk matet nga muret apo struktura fizike, por nga shpirti që banon brenda saj. Edhe në kushtet më të vështira, aty ku shumë persona ndajnë hapësirën dhe fryma duket e ngufatur nga kallabllëku, një shtëpi bëhet shtëpi nga dashuria dhe lidhjet njerëzore nga nëna, babai, motra dhe vëllai etj. Në këtë cikël, autorja thekson se lufta nuk shkatërron vetëm tokën, por edhe thelbin e qenies njerëzore. Megjithatë, shpresa dhe dashuria familjare qëndrojnë si një dritë e heshtur. Përmes poezieve të këtij cikli, Donika Dabishevci, nuk nguron të përballet me të vërtetën brutale të luftës, duke ndriçuar plagët e saj më të thella: urinë, dhunën dhe mizoritë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin njerëzor.
Në poezinë “Simfonia e zorrëve,” autorja përshkruan urinë si një tmerr që thyen trupin dhe shpirtin, duke përdorur vargje që tingëllojnë si një këngë e errët dhe e pafat. Uji dhe buka, shpesh simbole të jetës dhe shpreses, zbehen nën hijen e luftës. Ky varg i thellë na rikthen në një realitet ku uria bëhet një tjetër front i betejës, një simfoni e hidhur që rrëqeth qenien njerëzore. Autorja nuk ndalet vetëm te uria; ajo ngre edhe çështjen e dhunës ndaj grave, vajzave dhe motrave. Në këtë pjesë të ciklit, lexuesi përballet me dhimbjen dhe tragjedinë e dhunës seksuale si një nga pasojat më të dhimbshme të luftës. Donika përshkruan momentin e babait, bashkëshortit apo vëllait, të cilët, në përpjekje për të shpëtuar motrat, gratë dhe vajzat e tyre nga duart mizore të armikut, i luten armikut qe t’i marrin ata, t’i vrasin ata vetëm të mos e përjetojnë dhunimin e motrave, grave apo vajzave te tyre.
Cikli përmbyllet me një poezi të fuqishme kushtuar masakrës së Reçakut, një nga tragjeditë më të rënda gjatë luftës në Kosovë. Kjo poezi është një dëshmi e dhimbjes dhe mizorisë që nuk mund të fshihet apo harrohet. Donika Dabishevci përpiqet të kapë thelbin e tmerrit dhe të padrejtësisë, duke e kthyer dhimbjen në fjalë dhe duke i dhënë lexuesit një pasqyrë të qartë të mizorive që ndodhën në zemër të luftës.
Cikli i dytë i veprës me titullin “Lakmia me u çmend”, është një udhëtim shpirtëror në thellësitë e dhimbjes, sakrificës dhe dashurisë së nënës në kohë lufte. Ky cikël hapet me poezinë “Ninullë”, ku autorja përshkruan me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme përpjekjen e nënave për të qetësuar fëmijët e tyre përmes ninullave. Por, këto nuk janë thjesht ninulla të zakonshme janë ninulla ëndërrndjellëse, ninulla refugjatësh, ninulla tokësore, ninulla lufte, ninulla që përpiqen të mbrojnë shpirtin e pafajshëm nga tmerri i luftës. Poezia nxjerr në pah sfidat e mëdha që përballen nënat, të cilat përpiqen me çdo kusht të fshehin vendndodhjen e fëmijëve të tyre. Ajo përshkruan frikën e thellë që një nënë përjeton, frikën se mos ndalonë frymën e vogëlushit duke i mbajtur gojën të mbyllur, vetëm për të mos i dëgjuar armiku përmes gugulitjeve së pafajshme të fëmijës.
Në këtë cikël, autorja nuk kursen asgjë nga mizoria dhe dhimbja që lufta lë pas. Poezi si “S’kish menu nanezeza…” është dëshmi të një tragjedie që nuk mund të harrohet. Kjo poezi është një përkujtim për Leotrim Ahmetin, një djalosh 7 vjeçar nga Gradica, i cili humbi jetën nga një plagë në bark, shkaktuar nga granatat. Përmes vargjeve të saj, poetja përshkruan dhimbjen e një nëne që i lutet Zotit të marrë jetën e të birit, vetëm të mos ndjejë më shumë dhimbje.
Në poezinë “Mos,” autorja ngre temën e sakrificës ekstreme të një nëne për fëmijën e saj. Në këtë poezi, nëna shndërrohet në qenie të ndryshme, në një “kuçedër apo hienë”, për të mbrojtur dhe shpëtuar jetën e vogëlushit të saj. Kjo poezi është një portret i fuqisë së dashurisë së nënës, një dashuri që nuk njeh kufij, as frikë, as dhimbje. Cikli përfshin edhe poezi që përshkruajnë tragjeditë e luftës jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera si Ukraina dhe Gaza. Një ndër poezitë më prekëse të këtij cikli është “ALO 112”, e dedikuar një vajze 6-vjeçare nga Gaza, e cila humbi jetën pas disa telefonatave për ndihmë, duke kërkuar shpëtim nga njerëzit që kishin vrarë familjen e saj. Një poezi mjaft sensitive.
Në poezinë “E vogla,” autorja kujton tragjedinë e një foshnje 6-muajshe, Lirie Muqolli, e ndarë mizorisht nga jeta. Ndërsa në poezinë “Dilema,” Donika Dabishevci sjell një tjetër tragjedi: dilemën e një anesteziologeje në Ukrainë, e cila gjatë operimit të një fëmije merr vesh se shtëpia ku jetonte i biri është bombarduar nga rusët. Ajo përballet me zgjedhjen e tmerrshme midis shpëtimit të një fëmije që po operon apo vrapimit për të shpëtuar të birin.
Cikli i tretë i titulluar “N’luftë me korba” nis me një poezi që kujton fatin tragjik të një çifti të moshuar nga Fushë Kosova, i cili në vitin 1999 humbën jetën pasi u vranë dhe shtëpia e tyre u dogj. Autorja përshkruan dashurinë e palëkundur të çiftit për atdheun dhe për shtëpinë e tyre, duke thënë me një thjeshtësi të dhimbshme: “E ma mirë se deka në shpi s’ka“. Ky varg kap thelbin e lidhjes së ngushtë midis individit dhe tokës së tij, duke e kthyer vdekjen në një akt që tregon dashurinë më të thellë për vendin dhe për rrënjët e një jete sesa dëshirën për të jetuar disa ditë më shumë. Në këtë cikël, autorja trajton edhe pushkatimin e burrave, duke përshkruar me fjalë të thjeshta, por të fuqishme, momentet e fundit të jetës së tyre. Poezia flet për burrërinë e atyre që, edhe në fytyrë të vdekjes, përpiqen të mbajnë dinjitetin e tyre, duke përgatitur vetë varret me duart e tyre.
Një tjetër poezi prekëse në këtë cikël tregon historinë e një çifti Bosko dhe Admira në Sarajevë. Edhe pse kishin leje qarkullimi, ata u goditën nga snajperët, ndërsa përpiqeshin të kalonin urën në zonën neutrale. Bosko u qëllua i pari, dhe më pas Admira, e cila, në një akt dashurie që sfidon vdekjen, ruajti frymën e fundit për ta përfunduar rrugën deri te trupi i të dashurit të saj. Me një guxim të pabesueshëm, ajo i mbylli sytë atij, duke e përqafuar deri në frymën e fundit një përshkrim që kthen këtë çift në një Romeo dhe Zhuljeta të kohës së luftës, duke e bërë dashurinë e tyre legjendë, një simbol të përjetshëm të përkushtimit dhe sakrificës.
Cikli i fundit i titulluar “Dhimta t’ngufatuna n’ofshama t’pazashme,” është një përshkrim i thellë dhe shpirtëror i pasojave të një lufte, një rrëfim i trishtë mbi shkatërrimin që mbetet pas. Autorja shpalos plagët që lufta lë në tokë, në shtëpi dhe, më e rëndësishmja, në shpirtin njerëzor. Në vargjet e këtij cikli, lufta shndërrohet në një plagë të hapur, duke shkatërruar jo vetëm strukturën fizike të tokës dhe shtëpive, por duke lënë pasoja të thella psikologjike dhe traumatike në ata që mbetën. Autorja përshkruan me ndjeshmëri të thellë dhimbjen e familjarëve të të vrarëve, të cilët përballen me humbjen e pafund, shpesh pa një vend për t’u ndalur e për t’i dhënë lamtumirën e fundit të dashurve të tyre. Varret pa emër dhe eshtrat pa varre janë simbole të një humbjeje të pashlyeshme, ku kujtimi i të vdekurve mbetet një plagë. Ky cikël përqendrohet veçanërisht te nënat e dëshmorëve, ato gra që bartin barrën e dhimbjes dhe humbjes me një forcë të heshtur, por të pakapërcyeshme. Ato janë monumente të gjalla të sakrificës, të cilat, përkundër errësirës dhe dhimbjes, përpiqen të mbajnë gjallë kujtimin e të dashurve të tyre. Poetja përmes këtij cikli ndriçon dhimbjen e thellë që lufta lë në shpirtrat e njerëzve, duke përshkruar jo vetëm humbjen fizike, por edhe atë shpirtërore atë ndjenjë të ngufatur të dhimbjes që mbetet në heshtje, të fshehur në thellësi të shpirtit. “Dhimta t’ngufatuna n’ofshama t’pazashme” është një meditacion filozofik mbi dhimbjen, humbjen dhe pasojat psikologjike të luftës.
Në këtë botë ku dhimbja shpesh mbetet e ngufatur në heshtje, Donika Dabishevci, na kujton se dhimbja duhet të dëgjohet dhe të kujtohet, në përpjekjen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
ObserverKult
Lexo edhe:
Lexo edhe:
1.GËZIM ALIU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, POEMË PËR NJERIUN NË LUFTË
2. Agron Gashi: Poetika e vdekjes mizore te “E gjithkohshmja Andërr”
3. AFRIM DEMIRI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”/ POETIKA E VRAME NGA LUFTA
4. HAJRIZ SEJDIU: E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT
5. BAJRAM MJEKU: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR” – MONUMENT INDIVIDUAL PËR DRAMËN KOLEKTIVE
6. Maxhun Osmanaj: Një metaforë në mes jetës dhe vdekjes
7. BISLIM AHMETAJ: DASHURIA DHE VDEKJA NË POEZINË E DONIKA DABISHEVCIT
8. AGIM BAÇI: VALLJA E FJALËVE TË DHIMBJES TE “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”
9. MËRGIM BEKTESHI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, KUJTESË HISTORIKE NË VARGJE
10.Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”
11.Drita Fejza: “E gjithkohshmja Andërr”, libër që ruan kujtesën historike dhe nderon viktimat e luftës!
12. Hajriz Sejdiu: Shtatë imazhet në përmbledhjen poetike të luftës “E Gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit
13. SHEFQETE GOSALCI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR I VEÇANTË I NJË POETEJE ELITARE
14. AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!
15. TIMO MËRKURI: IKJA SI TRIUMF I JETËS NË POEZINË “TUJ IKË DEKËS” E DONIKA DABISHEVCIT
16. DRITA FEJZA: POEZIA “DREJT PUSHKATIMIT” E D.DABISHEVCIT, REFLEKTIM I THELLË MBI JETËN, VDEKJEN E DINJITETIN NJERËZOR!
17.Lindita Komani: “E gjithkohshmja Andërr”, libër kujtese për dhimbjen e luftës
18. Kemajl Aliu:ABSURDI I LUFTËS DHE PSIKO- DRAMA NJERËZORE
19. Vilson Culaj: “E gjithkohshmja Andërr”, saga e dramës kombëtare që flet përmes artit poetik
20. Halil Matoshi: Diskursi i emnimit të ligësisë simas estetikës së të shëmtuemes te Donika Dabishevci
21.Sadedin Mezuraj: Guernika poetike e Donika Dabishevcit
“E gjithkohshmja Andërr” e Donika Dabishevcit merr Çmimin për veprën më të mirë me poezi për vitin 2024
“E gjithkohshmja Andërr” e Donika Dabishevcit vlerësohet si libri më i mirë me poezi në Panairin e Librit në Prishtinë
“E gjithkohshmja Andërr” e Donika Dabishevcit, përkthehet dhe botohet në esperanto